Milwaukee Bucks vijon të jetë skuadra e vetme pa asnjë humbje këtë sezon në NBA. Ekipi i Bucks mposhti 110-108 Detroit Pistons, në një ndeshje që dhuroi mjaft emocione, deri në sekondën e fundit.
Tjetër ndeshje magjike për Antetokounmpo, autor i 31 pikëve, mbështetur edhe nga Holiday me 25 pikë e Lopez me 24 pikë. Në gjashtë sfidat e fituara deri më tani, Antetokounpo ka shënuar 3 herë mbi 40 pikë, 2 herë mbi 30 dhe vetëm njëherë poshtë 30 pikëve, duke qenë basketbollisti me rendimentin më të madh.
Po në Konferencën e Lindjes, rikthehet te fitorja Brooklyn Nets, që mposhti 116-109 Indiana Pacers, sfidë ku për vendasit u dalluan Durant me 36 pikë e Irving me 28 pikë. Për miqtë, Duarte realizoi 30 pikë, por që mbetën për statistikë.
Në Perëndim, fitore në sekondën e fundit mori skuadra e Los Angeles Clippers, që mundi 95-93 Houston Rockets, ndeshje ku Paul George realizoi 35 pikë. Por skuadra e vetme në këtë konferencë që ka gjashtë fitore nga starti është Utah Jazz, që mposhti së fundmi 121-105 Memphis Grizzlies. Markkanen me 31 pikë ishte lider në fushë për Jazz, duke i bërë të pavlefshme 37 pikët e Morant.