BSH rriti normën bazë, BIRN: Bankat sigurojnë fitime ‘stratosferike’ nga rritja e interesave

August 15, 2023
min lexim

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri po përjetojnë vitin më të mirë në historinë e vet sa i përket të ardhurave dhe fitimeve, pasi rritja e interesave nga bankat qendrore ka sjellë rritje të interesave të kredive dhe të borxhit publik, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të publikuara nga Banka e Shqipërisë së fundmi. Të dhënat mbi bilancet financiare të bankave publikohen nga BSH çdo tre muaj. Sipas të dhënave, për periudhën janar-qershor, fitimet pas taksave të bankave ishin 12.7 miliardë lekë, me rritje 127% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022, kur ishin 6.5 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë nisi rritjen e interesit bazë të monedhës kombëtare në korrik të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, interesi i Marrëveshjeshjeve të Riblerjes Njëjavore, u rrit nga 1% në 3%. Në të njëjtën periudhë, Banka Qendrore Evropiane rriti normën bazë të interesit për euron nga zero në 4.25%. Kjo bëri që euribori të rritej në afërsisht të njëjtat përmasa.

Rritja e interesave nga bankat qendrore në shumicën e vendeve të zhvilluara ishte e paprecedentë që prej shumë dekadash dhe synonte të luftonte inflacionin anomalisht të lartë të vitit të fundit. Rritja e interesave i preku bankat në mënyra të ndryshme. Në SHBA, shumë prej bankave pësuan humbje nga rritja e interesave aq sa u krijua frika për një falimentim në masë, ndërsa në Itali e Shqipëri, duket se struktura e tregut ka qenë më favorizuese për bankat, duke i sjellë atyre fitime dhe jo humbje.

Në Itali, qeveria së fundmi vendosi një taksë të jashtëzakonshme mbi fitimet e jashtëzakonshme të bankave por u detyrua të tërhiqet nga kjo masë pas reagimit negativ të tregjeve. Në Shqipëri, bankat duket se kanë qenë përfituese në shumë drejtime nga rritja e interesave. Në drejtimin e parë, praktika e biznesit të kredive në euro në Shqipëri është që ato të jepen në përgjithësi me çmim referencë interesin euribor, megjithëse bankat sigurojnë pjesën dërrmuese të parave të kredituara në formën e depozitave brenda vendit. Kur interesi euribor u rrit, bankat patën përfitime, ndërsa kostoja e tyre për sigurimin e parave të kredituara nuk u rrit për shkak se burimi i parasë është tregu i brendshëm i depozitave dhe jo tregu ndërbankar evropian.

E njëjta gjë ndodhi edhe me kreditë në lekë, ku praktika e biznesit është në përgjithësi marrja për referencë e interesave të bonove të thesarit dymbëdhjetë mujore. Këto instrumente pësuan rritje dramatike gjatë vitit të kaluar duke kaluar nga pak më shumë se 1% në janar, në 5.8% në gusht. Interesi i bonove 12 mujore u reduktua në muajt në vijim dhe aktualisht është rreth 3%. Edhe në këtë rast, bankat duket se dolën dyfish të fituara, fillimisht për shkak se investimet e tyre në bono thesari dhe tituj të tjerë të borxhit publik sollën interesa më të larta dhe pastaj për shkak se rritja e këtyre interesave solli shtrenjtim të kredive ekzistuese dhe të ardhura më të larta për kreditorët.

Rritja e interesave solli përfitim të pjesshëm edhe për depozituesit. Sipas të dhënave të BSH, shpenzimet e bankave për interesa, ku përfshihen shpenzimet për interesat e paguara për depozita, u rritën me 55% gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ritëm ky më i shpejtë se sa ai i të ardhurave nga interesat që ishte 37%.

Në total, bankat paguan 6.3 miliardë lekë interesa për depozitat dhe arkëtuan 39.5 miliardë lekë të ardhura nga interesat, ku përfshihen interesat e kredive të dhëna apo e titujve të borxhit të blera.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pas Neymar, Al Hilal synon Navas dhe Verratin

Story i radhës

Operacioni “Goditja”, Policia për një javë arrestoi 96 persona e konfiskoi 37 armë

Të fundit nga

Tesla dëshiron të dyfishojë prodhimin në Gjermani

Nga fabrika e prodhuesit amerikan të veturave elektrike Tesla në Grünheide të Gjermanisë, jo shumë larg Berlinit, thanë se janë optimistë për të ardhmen pavarësisht rënies së tregut gjerman. Drejtori i fabrikës
ShkoLartë