BSh: Impakti i konfliktit Rusi-Ukrainë në Shqipëri pritet të jetë i kufizuar

March 2, 2022
min lexim

Ndikimi i konfliktit Rusi-Ukrainë në ekonominë shqiptare pritet të jetë i kufizuar dhe i administrueshëm, ka thënë sot Banka e Shqipërisë në përmbyllje të një takimi midis Guvernatorit Gent Sejko dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. 

Sipas një njoftimi për shtyp të BSh-së, takimi u përqendrua në rreziqet që mund të përballet ekonomia si pasoj e përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë.

“Ndikimi i këtij konflikti në ekonominë botërore ka filluar të jetë i dukshëm, si në drejtim të rritjes së çmimeve të disa artikujve bazë, ashtu dhe në drejtim të rritjes së pasigurisë së investitorëve dhe të tregjeve financiare”, ka theksuar banka qendrore, duke shtuar se vlerësimet e deritanishme sugjerojnë se shëndeti ekonomik dhe financiar i vendit mbetet i qëndrueshëm.

BSh ka thënë gjithashtu se ekspozimi i drejtpërdrejt tregtar dhe ekonomik i Shqipërisë ndaj Rusisë dhe Ukrainës është i ulët.

“Po ashtu, stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit është i konsoliduar. Kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm dhe rezerva valutore mbetet në nivel të mjaftueshëm. Në veçanti, veprimtaria e sektorit bankar zhvillohet në mënyrë normale, me tregues të mirë kapitalizimi, likuiditeti dhe performance, si dhe ekspozim të ulët ndaj rajonit në konflikt”, ka theksuar BSh.

“Testet paraprake të rezistencës tregojnë se ekonomia shqiptare ka hapësira të mjaftueshme për t’u rezistuar goditjeve të mundshme që vijnë nga ekspozimi direkt me vendet në konflikt”, ka nënvizuar BSh.

Në anën tjetër, banka ka theksuar se goditjet në ekonomi mund të burojnë nga reduktimi apo ndërprerja e flukseve tregtare, nga rritja e çmimeve për produkte të caktuara apo nga rritja e pasigurisë në tregjet financiare ndërkombëtare.

“Në rast se konflikti mbetet i përmbajtur, në dimensionet e tij kohore dhe gjeografike, këto goditje do të lenë vetëm gjurmë kalimtare në aktivitetin ekonomik dhe në inflacion”, ka shtuar BSh.

Banka ka bërë të ditur që së bashku me ministrinë janë të gatshme të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për të kufizuar efektet negative të mundshme.

“Veprimi i koordinuar do të jetë vendimtar për të zbutur rreziqet dhe për të lundruar më të sigurt në periudhën sfiduese që vjen”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, BSh ka pranuar se përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës dhe përhapja e konfliktit në vende të tjera do të prodhonte një realitet të ri ekonomik dhe do të kërkonte marrjen e masave më gjithëpërfshirëse për administrimin e situatës. 

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Analisti: Ushtria duhet të ndihmohet me fonde që edhe ne t’i kemi “bajraktarët” e parë në Kosovë

Story i radhës

Një mbrëmje e keqe për ekipin e Vedat Muriqit 

Të fundit nga

ShkoLartë