Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja ka dalë këtë të enjte në konferencë për mediet përpara nisjes për në Izrael, nesër, për ndeshjen e Nations League që do të luhet më 24 shtator.
Duke folur përpara kësaj sfide, por edhe asaj ndaj Islandës që do luhet në shtëpi më 27 shtator, Broja u shpreh se rëndësi kanë tri pikët në të dyja ndeshjet.
Më tej sulmuesi theksoi se përtej faktit që nuk ka pasur shumë minutazh te Chelsea, ndodhet në formë të mirë për të luajtur.
A je gati për të luajtur nga minuta e parë: “Këto dy ndeshje jatë të rëndësishme, duhet fitore dhe tri pikë për të dyja. Trajneri e vendos kush luan, në stërvitje e ka parë. Vetëm fitorja në duhet ajo ka rëndësi.”
Te Chelsea je në luftë për formacion, po te Kombëtarja do luash nga minuta e parë? “Se di, zgjedhjen e bën trajneri, por në qoftë se më fut në lojë do jap maksimumin.”
Çfarë duhet për të mposhtur Izraelin? “E dimë që është ndeshje e vështirë, pasi në Tiranë na kanë mundur, por na duhet fitorja ishalla e arrijmë.”
A ndjen presion? “Për mua nuk ka shumë presion se kam luajtur që 3 vjeç, vetëm luaj për të fituar dhe ndihmuar ekipin.”
Mungesa e minutave në krahasim me sezonin e shkuar, a ndjehesh në formë? “Jo jam gjithmonë në formë, bëj stërvitje çdo ditë, është më e vështirë të luash te Chelsea se te Southampton, por jam mirë fizikisht dhe po vazhdoj me stërvitjen dhe vetëm fitoren kemi në mendje”.