Britania njoftoi se kishte tërhequr përkohësisht një pjesë të stafit të ambasadës së saj nga Libani dhe u kërkoi qytetarëve britanikë të largohen nga vendi ndërsa opsionet komerciale janë në dispozicion, raportoi Anadolu.
Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) njoftoi se “ngjarjet në Liban po ecin me shpejtësi” dhe se “situata ka potencialin të përkeqësohet me shpejtësi dhe pa paralajmërim” gjatë konfliktit palestinezo-izraelit.
“Rrugët komerciale nga Libani mund të ndërpriten ose anulohen në një njoftim të shkurtër dhe rrugët në të gjithë vendin mund të mbyllen”, thuhej në paralajmërim, duke shtuar: “Nëse jeni aktualisht në Liban, ne ju inkurajojmë të largoheni tani ndërsa opsionet komerciale janë të disponueshme”.
Qytetarëve britanikë në Liban u është kërkuar të regjistrohen. “Udhëtimi brenda ose jashtë Libanit është në rrezikun tuaj”, thuhet në deklaratë.
Njoftimi thekson se FCDO “nuk mund të thotë nëse është e sigurt të udhëtosh në ndonjë pikë brenda Libanit”.
Paralajmërimi është lëshuar për shkak të rreziqeve që lidhen me konfliktin midis Izraelit dhe territoreve të pushtuara palestineze.
Gjithashtu theksohet se “ka shkëmbime zjarri dhe sulme ajrore të vazhdueshme në Libanin jugor, në kufirin me Izraelin”, dhe se tensionet janë të larta dhe se mund të ketë një përshkallëzim, i cili mund të prekë ose kufizojë rrugët e daljes nga Libani.
“Ka rrezik nga trazirat civile”, theksohet dhe shtohet se “para ambasadave ka pasur protesta të mëdha, duke përfshirë edhe ambasadat amerikane dhe franceze”.
Gjithashtu shtohet se protestat pritet të vazhdojë.