Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në Liban. Për më tepër, qytetarëve britanikë aktualisht në vend u kërkohet të largohen ndërsa fluturimet komerciale janë të disponueshme.
Demonstrata të dhunshme shpërthyen sot në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, pas sulmit vdekjeprurës në spitalin Al Ahli në Gaza.
Hezbollahu i Libanit ka bërë thirrje për një “ditë zemërimi” për “masakrën” për të cilën akuzon Izraelin, shkruan Sky News.
“Le të jetë e mërkura një ditë zemërimi kundër armikut,” thirri Hezbollah, një aleat i Hamasit palestinez, në një deklaratë, duke dënuar “masakrën” dhe “krimin brutal”.
Thirrja e Hezbollahut erdhi ndërsa qindra protestues u mblodhën jashtë ambasadës amerikane në Awkar, një periferi veriore e kryeqytetit Bejrut, duke brohoritur “vdekje Amerikës” dhe “vdekje Izraelit”.
Forcat libaneze të sigurisë hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që po gjuanin me gurë ambasadën.
Departamenti Amerikan i Shtetit tashmë ka bërë një ftesë për amerikanët që të mos udhëtojnë në Liban.
Alarmi është tani në nivelin më të lartë – niveli 4 – për të pasqyruar “terrorizmin, trazirat civile, konfliktin e armatosur, krimin, rrëmbimet dhe kapacitetin e kufizuar të Ambasadës në Bejrut për të ofruar mbështetje për qytetarët amerikanë”, thuhet në njoftim.
Burimi: GAZETA.MK