Kryeministrja britanike, Liz Truss, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të ndajë të paktën 2.6 miliardë dollarë, si ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vitin e ardhshëm.
Rusia ka nisur luftën në Ukrainë në fund të muajit shkurt.
Perëndimi ka ndarë miliarda dollarë për të forcuar ushtrinë ukrainase me sisteme moderne të armëve.
Mbështetja ushtarake e Britanisë për Ukrainën pritet të përfshijë pajisje sikurse lansuese të shumëfishta të raketave, ka thënë zyra e kryeministres përmes një deklarate.
“Fitoret e Ukrainës në javët e fundit kanë qenë inspiruese”, është thënë në deklaratë.
“Mesazhi im për popullin ukrainas është që Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë mbrapa jush në secilin hap. Siguria juaj është siguria jonë”.
Ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë në fillim të muajit shtator, për të rikthyer kontrollin në territoret e pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.
Ushtria ukrainase pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 8.000 kilometrave katrorë në rajonin e Harkivit, prej nisjes së kundërofensivës.
Ushtria ruse ka thënë se trupat e saj janë tërhequr nga Harkivi për t’u rigrupuar.
Megjithatë, ekspertët besojnë se Rusia ka përdorur arsyetim të njëjtë edhe kur ka dështuar që të fitojë kontrollin e Kievit, disa javë pas nisjes së luftës, dhe për pasojë është tërhequr nga ai rajon.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL