Britani, mijëra persona në Londër protestuan kundër luftës në Ukrainë

Mijëra persona u mblodhën në kryeqytetin e Britanisë, Londër, dhe protestuan kundër luftës Rusi-Ukrainë e cila dje la pas vitin e parë të saj, raporton Anadolu.

Në Londër mijëra persona u mblodhën para institucionit transmetues britanik BBC për të protestuar kundër luftës që Rusia filloi ndaj Ukrainës.

Në protestën e mbështetur nga shumë institucione të shoqërisë civile dhe organizata të të drejtave të njeriut, protestuesit krahas flamujve të Ukrainës mbajtën në duar pankarta me mbishkrimet: “Ndaloni Putinin”, “Po NATO-s” dhe “Rusi shporru nga Ukraina”.

Një grup nga protestuesit hodhën slogane kundër Rusisë dhe bënë thirrje që “Ukraina të armatoset më shumë” për të arritur fitore kundër Rusisë.

Në protestë morën pjesë edhe deputetë të Partisë Laburiste në opozitën kryesore.

Tanya, një nga protestueset tha për AA se disa forca aktualisht po nxisin dhe po manipulojnë zhvillimet e përjetuara në terren. “Mendoj se SHBA-ja ndodhet pas manipulimit më të madh. SHBA-ja rend vetëm pas interesave të saj”, tha Tanya.

Duke bërë të ditur se armatosja më shumë e Ukrainës nuk do të jetë zgjidhje për përfundimin e luftës, Tanya deklaroi: “Për mendimin tim duhet të ndalojmë dërgimin e armëve sepse kjo përshkallëzon ngjarjet dhe nuk na çon drejt një zgjidhjeje. Duhet ta kuptojmë këtë”.

Dalia Sanches, një protestuese tjetër tha se “Ndodhem këtu sepse më trishton teksa shoh që ka shumë të rinj nga të dy palët që humbasin jetën. Nuk ka rëndësi se nga cila anë janë ata”.

Ajo tha se nuk e mbështet dërgimin e armëve në Ukrainë.

“Nuk i bashkohem thirrjes për dërgimin e armëve. Mendoj se kjo do të zgjasë luftën dhe do të eliminohen më shumë jetë. Nuk ka nevojë për luftë. Çdo luftë është rezultat i diplomacisë së dështuar. Kategorikisht nuk ka nevojë për luftë dhe nuk i bashkohem mendimit për zgjatjen e luftës duke dërguar më shumë armë”, tha Sanches.

Nga para qendrës së BBC-së, protestuesit marshuan drejt sheshit “Trafalgar” në kryeqytet.





Story i mëparshëm

Në Turqi hapet krateri me gjerësi prej 100 metrave, pretendojnë se nuk ka lidhje me tërmetet

Story i radhës

Zjarr në fushën e mbetjeve në Vlorë, tymi shkakton probleme në zonë

Të fundit nga

Shtanget Juventus

Manchester United ka hyrë në bisedime me mesfushorin e Juventusit, Adrien Rabiot. Kontrata e lojtarit francez