Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka mohuar publikisht një vendim që vetë e kishte propozuar dhe mbështetur më parë: që qytetarët të mos i paguajnë faturat për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave kompanisë KRM “Pastrimi”.
Më 5 shkurt 2025, Komuna e Prishtinës njoftoi se, si pasojë e pezullimit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, qytetarët nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat nga 1 janari 2025 e tutje. Ky vendim, që ishte koordinuar dhe kërkuar prej kohësh nga drejtoria për Shërbime Publike e udhëhequr nga Brestovci, parashihte që pagesat të realizoheshin përmes Komunës, dhe jo më drejtpërdrejt nga qytetarët.
Mirëpo, në një deklaratë të fundit publike, Brestovci ka mohuar që qytetarët janë të liruar nga këto pagesa, duke e quajtur njoftimin e Komunës “justifikim” dhe “të pavërtetë”.
“Janë tu inkasu drejt për së drejti prej qytetarëve. Ata e kanë veç justifikim këtë çështje, se nuk është e vërtetë asgjë aty,” deklaroi Brestovci.
Kjo deklaratë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me komunikimet dhe kërkesat e mëhershme të tij, duke ngritur pikëpyetje për koherencën institucionale dhe komunikimin brenda vetë Komunës.
Burimi: botasot.info