Në vetëm dy ditë, Beogradi zyrtar bëri “tre hapa më pranë” Moskës, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian (BE) që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin në Ukrainë.
Në të njëjtën ditë, më 15 nëntor, u njoftua se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd u takua me këshilltarin e liderit çeçen Ramzan Kadyrov, i cili gëzon mbështetjen e Kremlinit dhe filloi punën media shtetërore ruse Russia Today në Serbi.
Një ditë më parë, më 14 nëntor, Serbia për herë të parë abstenoi në Kombet e Bashkuara (OKB) në dënimin e agresionit rus kundër Ukrainës.
Me votat e 94 shteteve anëtare, më pas u miratua një rezolutë që mbante Rusinë përgjegjëse për shkeljen e ligjit ndërkombëtar për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe Moskës iu kërkua gjithashtu t’i paguante kompensim Kievit.
Nëse këto lëvizje mund të interpretohen si intensifikim i marrëdhënieve me Rusinë – Presidenca e Serbisë, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjes së Evropës së Lirë në gjuhën serbe.
Hapi 1: Takimi ‘në fshehtësi’ me këshilltarin e Kadyrovit
Nëse vizitoni faqen e Presidencës së Serbisë dhe llogarinë në Instagram të presidentit, Aleksandar Vuçiq, nuk mund të shihni se ai është takuar me Turk Daudov, një këshilltar i liderit çeçen Ramzan Kadyrov.
Një fotografi me Vuçiqin, i veshur me një kostum tradicional çeçen, është publikuar nga Daudov më 15 nëntor. Në përshkrimin e fotografive, Daudov vlerësoi se “marrëdhëniet vëllazërore mes Rusisë dhe Serbisë e treguan edhe një herë fuqinë e tyre”.
Republika Çeçene, e kryesuar nga Kadyrov, ka autonomi brenda Federatës Ruse. Kadyrov është gjithashtu një zyrtar i lartë i Rusisë së Bashkuar, partia e kryesuar nga presidenti rus Vladimir Putin.
Komuniteti ndërkombëtar akuzon Kadyrov për shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut gjatë sundimit 15-vjeçar në Çeçeni. Është nën sanksionet e Bashkimit Evropian.
Ai është një nga mbështetësit më të zjarrtë dhe agresiv të pushtimit rus të Ukrainës, ku po dërgon luftëtarë nga Çeçenia.
Hapi 2: Russia Today në Beograd
Më 15 nëntor, në qiellin mediatik të Serbisë u shfaq një ueb-faqe e re – kanali shtetëror rus Russia Today (RT) filloi transmetimin e programit në internet në gjuhën serbe “RT Balkan”.
Në një postim në Twitter, me të cilin konfirmoi hapjen e redaksisë në gjuhën serbe, kryeredaktore e RT, Margarita Simonjan, ka thënë se “Kosova është Serbi”, pas politikës së Kremlinit për të mos pranuar pavarësinë e Kosovës.
“Ndoshta askund në botë nuk na kanë pritur aq shumë sa këtu. Dëshiroj t’u drejtohem serbëve të dashur në gjuhën e tyre: “Vëllezër, shikoni RT”, tha Simonjan.
Në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e RT në gjuhën ruse, bëhet e ditur se transmetimi i programit televiziv në gjuhën serbe do të fillojë në vitin 2024.
RT, si një media e kontrolluar nga Kremlini dhe e financuar nga buxheti i shtetit, është e ndaluar të transmetojë në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022.
Ai është cilësuar si çelësi i përhapjes së propagandës ruse dhe është objektivi i një pakete të gjerë sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Hapi 3: Serbia abstenoi në OKB
Përfaqësuesit e qeverisë nuk shpjeguan zyrtarisht pse Serbia vendosi të abstenojë nga votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 14 nëntor, edhe pse katër herët e mëparshme mbështeti rezolutat që dënojnë agresionin rus në OKB.
Në votimin e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën Rusia u ftua t’i paguante dëmshpërblimet e luftës Ukrainës, Serbia abstenoi së bashku me 72 shtete të tjera anëtare të OKB-së. Rezoluta u miratua me votat e 94 vendeve dhe të gjitha vendet anëtare nga Ballkani Perëndimor, përveç Serbisë, votuan “pro”.
Rezoluta tregon nevojën për të krijuar një “mekanizëm ndërkombëtar për kompensimin e dëmit, vdekjes ose lëndimit” që rezulton nga “veprimet e gabuara” të Rusisë kundër Ukrainës.
Rezoluta rekomandon që shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në bashkëpunim me Ukrainën, të krijojnë një “regjistër ndërkombëtar” për të dokumentuar pretendimet dhe informacionin rreth dëmeve, vdekjeve ose lëndimeve të shkaktuara ukrainasve dhe qeverisë së tyre nga Rusia.
14 vende ishin kundër rezolutës. Bjellorusia, Kina, Irani, Siria, Koreja e Veriut, Kuba, Nikaragua, ndër të tjera, iu bashkuan Rusisë.
Ishte niveli më i ulët i mbështetjes për një nga pesë rezolutat e lidhura me Ukrainën që Asambleja e Përgjithshme ka miratuar që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
Falë të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, Rusia ka bllokuar organin më të fuqishëm të OKB-së nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që kur presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës.
Megjithatë, e drejta e vetos nuk ekziston në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese, por ato pasqyrojnë opinionin botëror dhe kanë treguar kundërshtim të gjerë ndaj agresionit rus.
Burimi: GAZETA.MK