Parlamenti Europian ka zbritur në skenë për të thënë fjalën e tij rreth Kupës së Botës që po zhvillohet në Katar. Sipas asaj që është mësuar, gjatë të enjtes është miratuar një rezolutë që i kërkon FIFA-s dhe shtetit të Katarit që të kenë më shumë vëmendje për të drejtat e njeriut dhe të kompensojnë familjet e punëtorëve që kanë vuajtur gjatë ndërtimi të stadiumeve të këtij aktiviteti.
“Parlamentarët ndjejnë keqardhje për vdekjet e mijëra punëtorëve emigrantë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, të cilët ndihmuan vendin që të përgatitet për turneun, ashtu si edhe për ata që mbetën të lënduar”, shkruhej në deklaratën që doli nga Parlamenti Europian.
Ai përshëndeste fondin e hapur për të kompensuar familjarët e tyre, por kujtonte se jo të gjitha familjet e personave që kishin humbur jetën, kishin akses në të. Parlamenti kërkoi përfshirjen e ”të gjithë atyre që u ndikuan që kur filloi çdo punë që kishte lidhje me Kupën e Botës, duke mbuluar edhe vdekjet e punëtorëve dhe abuzime të tjera me të drejtat e njeriut”.
Ligjvënësit ndërkohë iu kthyen edhe FIFA-s me akuza të ashpra, teksa theksuan se vuan nga “korrupsioni sistematik i rrënjosur thellë”. “Organizata ka dëmtuar seriozisht imazhin dhe integritetin e futbollit botëror”, shkruhej në rezolutën e Parlamentit Europian.