Viti 2024 do të mbahet mend gjatë për mundjen shqiptare, një sezon i shoqëruar me rezultate historike si dhe me eventet më madhore ndërkombëtare të këtij sporti që vijnë në vendin tonë.
Kështu pas rezultateve të tapetit, me Shqipërinë që fitoi për herë të parë në histori medalje në Lojërat Olimpike (2 të bronzta), arritje që u shënuan në “Paris 2024” nga Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, vendi ynë pret zhvillimin e një prej evenimenteve më të rëndësishme të mundjes.
Federata Shqiptare e Mundjes si organizator kryesor do të sjellë për herë të parë në histori Kampionatin Botëror për të rritur, Kongresin Botëror të Mundjes si dhe për here të dytë Kampionatin Botëror U23. Tri ngjarje që do të mbahen nga data 21 deri më 27 tetor, të organizuara nga FSHM-ja.
Me pjesëmarrjen e 80 shteteve, nga ku prezentë do të jene plot 2300 sportistë dhe trajnere nga e gjithë bota. Kampionati Botëror U-23 do të zhvillohet në datat 21-27 tetor në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik në Tiranë.
Në të njëjtat data dhe në të njëjtën sallë do të zhvillohet edhe Botërori për të rritur në peshat jo olimpike.
Ndërkohë Kongresi Botëror i Mundjes do t’i sjellë Shqipërisë plot 117 shtete pjesëmarrëse dhe 200 delegatë nga e gjithë bota, të cilët janë figurat më të njohura të sportit të Mundjes. Kongresi do të mbahet në datën 27 tetor ora 08:30-09:00 në Shijak.
Burimi: botasot.info