Lufta në Ukrainë po kalon një nga momentet më mizore dhe një sinjal i rëndësishëm po vjen nga Shtetet e Bashkuara se përshkallëzimi mund të çojë në më të keqen. “Putin mund të përdorë armë kimike përpara se të drejtohet në një konfrontim bërthamor me NATO-n nëse trupat e tij vazhdojnë të humbasin terren kundër Kievit”, paralajmëruan disa zyrtarë amerikanë.
Edhe Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar për qëndrimet e Rusisë dhe po përpiqet të sigurohet që aleatët të jenë të përgatitur për një ngjarje të tillë: ka presion nga Uashingtoni që burime dhe investime të reja t’i kushtohen prodhimit të sistemeve të zbulimit kimik. Pastaj një seri tjetër akuzash nga Shtëpia e Bardhë ndaj Moskës: “Sulmet ndaj infrastrukturës elektrike të Kievit janë të tmerrshme, me afrimin e dimrit vuajtjet dhe vdekjet e ukrainasve shtohen. Këto sulme tregojnë gjithashtu se Rusia dëshiron të rrisë rrezikun e një incidenti të sigurisë bërthamore që jo vetëm që mund të dëmtojë Ukrainën, por të prekë të gjithë rajonin”.
Çfarë janë armët kimike që bota i frikësohet kaq shumë?
Armët kimike janë çdo lloj municioni që mbart toksina ose substanca kimike që sulmojnë sistemin organizmat e gjallë. Ekzistojnë kategori të ndryshme të armëve kimike. Agjentët mbytës si fosgjeni sulmojnë mushkëritë dhe sistemin e frymëmarrjes. Ka agjentë flluskë si gazi mustardë që djeg lëkurën dhe verbon njerëzit. Dhe ka agjentë nervorë, të cilët ndërhyjnë në mesazhet e trurit për muskujt e trupit. Një pikë e vogël e tyre mund të jetë fatale.
Agjentët kimikë mund të përdoren në luftë me predha artilerie, bomba dhe raketa. Por të gjitha janë rreptësisht të ndaluara nga Konventa e Armëve Kimike. Janë përdorur në luftë në të kaluarën në Luftën e Parë Botërore, në luftën Iran-Irak në vitet 1980 dhe së fundmi nga qeveria siriane kundër forcave rebele. Rëndësia këtu sot është se Rusia po akuzon Ukrainën për zhvillimin e armëve në laboratorë sekretë. Ukraina thotë se kjo është qesharake dhe nuk ka as armë kimike dhe as biologjike. Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë nënshkruar Konventën për Armët Kimike.
Pentagoni shqetësohet se duke akuzuar Rusinë për armë kimike dhe planifikimin e një sulmi nga Rusia, kjo mund të jetë duke krijuar një situatë të ashtuquajtur “flamur të rremë” që Rusia do ta përdorte si një justifikim për të kryer sulmin e saj me armë kimike. Fakti është se nëse keni një luftë të zgjatur ku forcat sulmuese po përpiqen të thyejnë vullnetin e forcave mbrojtëse, atëherë armët kimike janë, për fat të keq, një mënyrë shumë efektive për ta arritur këtë. Kjo është ajo që bëri Siria në Alepo.
Rreziku për shpërthim bërthamor
“Sulmet ruse në centralin bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia janë “serioze dhe të pamatura”, të cilat duhet t’i marrë me seriozitet gjithë komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë zëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab pak kohë më parë. Ai ka thënë se “është shumë e vështirë të besohet se sulmi nuk është bërë me dashje”. Presidenti amerikan, Joe Biden i ka bërë thirrje Moskës që të ndalë aktivitetet në këtë zonë, derisa kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia, duhet të ndalen menjëherë. Në një reagim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e konsideroi sulmin mbi centralin bërthamor si tregues të papërgjegjshmërisë së kësaj lufte.
Zelensky : Nëse ndodh shpërthimi, Europa zhduket
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, theksoi pak kohë më parë se sulmet e trupave ushtarake ruse ndaj Centralit Bërthamor Zaporizhzhia duhet të ndalohen dhe se në rast të një shpërthimi ky do të jetë fundi i Europës. Presidenti ukrainas deklaroi se në Centralin Zaporizhzhia ndodhen 6 njësi të energjisë dhe rikujtoi se në të kaluarën në Centralin Bërthamor të Çernobilit u shpërthye vetëm një njësi energjie. Zelensky tha se duhet të ndalen menjëherë sulmet. “Duhet të ndalojmë menjëherë ushtrinë ruse. Nëse ndodh një shpërthim është fundi i çdo gjëje, do të jetë fundi i Evropës”.