Boston e nis me “këmbë të mbarë”

min lexim

Menjëherë spektakël dhe surpriza që në garën e parë të finaleve të NBA. Në Chase Center Arena Boston Celtics u imponuan 120-108 ndaj Golden State duke rrëmbyer faktorin fushë teksa morën avantazhin 1-0 të serisë që vlen titullin kampion.

Ishte një rezultat sensacional, pasi Golden State shpërdoroi 12 pikë avantazh, humbi ndeshjen e parë në këtë play-off, dhe i dhuron Bostonit avantazhin. Warriors që ishin para 92-80 u rrëzuan në një periodë të katërt ku regjistruan rezultatin e pjesëshëm 40-16 me Celtics që marrin edhe faktorin fushë për takimin e ardhshëm.

Megjithatë, nisja e formacionit të Kerr ishte mjaft e mirë, pasi skuadra e Udokas i lejoi shumë goditje Curry-t që luajti një pjesë të parë rekordesh. Për njeriun e trepikëshave erdhën 21 pikë me 6 finalizime nga distanca, një kryesim ky në historinë e finaleve të NBA.

Boston gjithsesi mbeti në garë pavarësisht vështirësive të fillimit për Jayson Tatum dhe Jaylen Brown, duke gjetur te White dhe Pritchard liderët e skuadrës, çka bëri që në pushim rezultati të ishte 56-54.

Siç ka ndodhur shpesh këtë sezon, Warriors i “futën një marsh më shumë” në periodën e tretë, me një rezultat të pjesëshëm 38-24 që i dhuroi Golden State avantazhin 92-80 kur mbeteshin 12 minuta nga sirena finale. Dukej se ndeshja kishte marrë drejtim por Boston luajti një periodë të katërt për duartrokitje, duke shënuar trepikësha njëri pas tjetrit, me Brown , Smart e Horford më të mirët mbi parket, ndërkohë që në krahun tjetër sulmi i Golden State u zhduk.

Rezultati ishte një periodë e mbyllur 40-16 që arkivon garën 2 minuta para sirenës së fundit, me tabelën e rezultatit që në fund tregonte 120-108 në favor të formacionit të Udoka. Boston merr avantazhin 1-0 falë 26 pikëve të Al Horford dhe 24 nga Jaylen Brown, me Derrick White në kuotën e 21 pikëve dhe Marcus Smart me 18, ndërkohë që kishte 12 pikë dhe 13 rikuperime për Jayson Tatum që gjuajti keq por gjithsesi ja doli të ishte vendimtar.

Golden State ndërkohë humbet pavarësisht 34 pikëve, 5 rikuperimeve dhe 5 asisteve të Stephen Curry, me Wiggins që shënoi 20 pikë, Klay Thompson 15 ndërsa Porter jr 12. Nuk mjaftuan as 11 rikuperimet e Green dhe 7 pikët e Iguodala, pasi Golden State e sheh veten me “shpatulla pas murit”.

Në mbrëmjen mes të dielës dhe të hënës do të luhet ndeshja e dytë, që i gjen në presion të madh Warriors, të cilëve ju duhet të mos humbasin për të mos lejuar arratisjen e Bostonit në serinë që vlen titullin kampion.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gjëja e fundit që i duhet Evropës, është një luftë tjetër në pragun e saj

Story i radhës

Temperaturë deri në 41 gradë e shoqëruar me të vjella/ Fluks i madh në Pediatrinë e Beratit

Të fundit nga