Borrell: Zgjidhja e raporteve Kosovë-Serbi vetëm me dialog

March 16, 2022
min lexim

Në intervistë për DW, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell ndalet edhe tek dialogu Kosovë-Serbi, për të cilin u shpreh i zhgënjyer. “Dialogu nuk po ecën” – tha Borrell.

Teksa lufta në Ukrainë vijon të përkeqësohet dita-ditës, rritet edhe shqetësimi, se ndikimi rus mund të fuqizohet akoma më tepër në Ballkanin Perëndimor. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëkohësisht Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, shpreson që në këto kohë të vështira të mbizotërojë ndikimi evropian dhe jo ai rus në rajon. Deklaratat e tij u bënë nga Shqipëria, ndalesa e tij e dytë në këtë tur në Ballkanin Perëndimor. Më herët, Borrell vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe pas Shqipërisë, radhën e ka Bosnje Hercegovina.

DW: Z. Borrell, përse vendosët të vizitoni vendet e Ballkanit Perëndimor pikërisht në këtë moment?

Borrell: Është momenti i duhur, shumë i duhur. Siç e dini po zhvillohet një luftë. Ka shumë influencë ruse në Ballkan. Është moment kritik për procesin e zgjerimit. Ka një problem që duhet të zgjidhet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Dhe kemi perspektivën e anëtarësimit në mes të ndryshimeve gjeo-politike në panoramën evropiane.

DW: Sa gjasa ka që lufta në Ukrainë të ringjallë konflikte të vjetra në rajon?

Borrell: Lufta në Ukrainë do të ndikojë gjithçka, nga çmimi i ushqimeve që janë pasojë e drejtpërdrejtë e luftës, tek çmimet e energjisë. Marrëdhëniet me Rusinë nuk do të jenë më kurrë njësoj pas asaj që po bëjnë rusët me bombardimin e qyteteve, vrasjen e civilëve, shtypjen e popullit të Ukrainës. Kjo do të përforcojë bashkimin në Evropë dhe duhet të jetë shtysa e madhe për të tejkaluar disa nga problemet që kemi pasur, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Por, gjëja më e rëndësishme që rrezikohet sot, nuk është vetëm lufta midis Ukrainës dhe Rusisë, por respekti për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, lufta kundër ligjit të xhunglës, ku më i forti shtyp më të dobtin pa asnjë justifikim, dhe kjo është arsyeja përse njerëzit që duan lirinë dhe duan demokracinë duhet të përfshihen.

DW: Përse është shumë i rëndësishëm Ballkani Perëndimor në këtë moment?

Borrell: Nuk është më i rëndësishëm se dje, apo nesër. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm. Ai ka qenë në krye të agjendës së Bashkimit Evropian dhe vijon të jetë po aty, por ama ka disa ngjarje që janë katalizatorë të historisë, disa ngjarje që ndryshojnë marrëdhëniet ndërmjet aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm. Rusia do të shtojë influencën në Ballkan, do të mundohet të fitojë shpirtin e njerëzve, do të mundohet të zbatojë shumë fushata dezinformimi, do të mundohet të bindë njerëzit që ajo po lufton kundër nazizmit, që Zelensky është kriminel lufte, apo që po bën gjenocid kundër rusëve, ashtu siç po deklarojnë. Ne duhet ta kundërshtojmë këtë narrativë dhe në Ballkanin Perëndimor ka shumë dezinformim …

DW: Dhe ka shumë influencë ruse?

Borrell: Shumë influencë ruse. Shpresoj që influenca evropiane të jetë më e madhe.

DW: Të shpresojmë. Por, kur flitet për Ballkanin Perëndimor nuk mund të lihet mënjanë marrëdhënia Kosovë-Serbi. Si e parashikoni dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit? A po ecën ai në drejtimin e duhur?

Borrell: Nuk po ecën. Unë jam i ngarkuar me këtë dialog dhe nuk po ecën. Të paktën nuk po ecën me ritmin që duhet të ecte. Bashkimi Evropian ka një mandat nga Kombet e Bashkuara për të koordinuar, shtyrë dhe aktivizuar këtë dialog. Unë kam caktuar një nga diplomatët më të mirë për këtë detyrë, dhe duhet të them që duhet bërë më shumë, duhet më shumë punë. Duhet të shtyjmë të dyja palët me qëllim që të kuptojnë se ka vetëm një zgjidhje për problemin dhe se ajo vjen përmes dialogut, duke e ditur ama që nuk do të jetë e lehtë. Është çështje shumë e komplikuar. Ju e dini sa e vështirë dhe e komplikuar ka qenë historia e Ballkanit gjatë 20 apo 30 viteve të shkuara. Por e vetmja zgjidhje e këtij problemi është dialogu, dhe unë këtë po nxis, por jam i zhgënjyer që nuk po ecim me ritmin që kërkon problemi, sepse perspektiva evropiane e të dy vendeve po mbizotërohet plotësisht nga rezultati i këtij dialogu.

DW: Po, por të dyja palët këmbëngulin se ka disa tema që nuk janë zgjidhur ende. Për shembull, qeveria e Kosovës ka probleme me zbatimin e marrëveshjes për përfshirjen e komunave me shumicë serbe, dhe nga ana tjetër para pak kohësh ju paralajmëruat Serbinë të mos mohojë gjenocidin dhe të mos lartësojë figurat e kriminelëve të luftës. Këto janë çështje të mëdha …

Borrell: Nuk besoj se mund t’i futemi detajeve të ankesave të ndërsjella, këtyre marrëveshjeve, çfarë ka ndodhur, çfarë kemi rënë dakord, çfarë nuk është përmbushur. Mos më bëni të përsëris dialogun prej shumë orëve që kam pasur me të dy palët. E di që ka disa pika për të cilat nuk ka dakordësi, por ky është qëllimi i dialogut. Si mund të zgjidhen gjërat nëse nuk flasin me njëri-tjetrin?

DW: A ka një zgjidhje që ata të flasin dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare?

Borrell: Nuk di të ketë zgjidhje tjetër përveç dialogut.

DW: T’i kthehemi Shqipërisë. Në opinionin tuaj, a i ka përmbushur Shqipëria reformat që lidhen me integrimin evropian?

Borrell: Të gjithë bien dakord që Shqipëria ka përmbushur kriteret teknike, kjo nuk është diçka e re. Komisioni Evropian e ka deklaruar këtë dhe ka informuar vendet anëtare, sepse është vendim i Këshillit që nga pikëpamja e Komisionit, që është i ngarkuar me drejtimin e procesit, kemi një Komisioner të ngarkuar për zgjerimin, homologun tim Oliver Varhelyi, Shqipëria ka përmbushur kriteret.

DW: Por, a do të vijojë Shqipëria të vlerësohet e pandashme nga Maqedonia e Veriut?

Borrell: Për momentin, Këshilli ka vendosur që është më e udhës nëse të dy vendet përparojnë së bashku, që ne e quajmë çiftim. Të dy vendet ecin përpara së bashku, ka sinergji, ka kursime sa i përket procedurave dhe është mirë, sepse sa më shumë vende të jenë, aq më mirë është. Por, është e qartë që ka probleme ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe këto probleme duhet t’i zgjidhim. Shumë njerëz janë të angazhuar plotësisht në këtë përpjekje. Unë personalisht, por edhe shumë të tjerë. Dhe unë shpresoj, dhe po bëj të gjitha përpjekjet e mia së bashku me shumë të tjerë, si Komisioneri Varhelyi, Presidenti i Komisionit, Presidenti i Këshillit, me qëllim zgjidhjen e këtij problemi dhe të bëjmë të mundur që të dy vendet të nisin negociatat me qëllim zgjidhjen e këtij problemi dhe të bëjmë të mundur që të dy vendet të nisin negociatat përpara mbylljes së presidencës franceze.

DW: Po lufta në Ukrainë a do të ngadalësojë apo përshpejtojë vendimin për hapjen e negociatave?

Borrell: Lufta në Ukrainë është këmbanë alarmi për Evropën. Lufta tregon nevojën për më shumë bashkim, nevojën që Ballkani Perëndimor të mos lejohet të mbetet pas në lidhje me zhvillimin evropian. Lufta në Ukrainë tregon nevojën që Evropa të jetë më e fuqishme, më e bashkuar dhe të përshpejtojë disa procese që kanë mbetur pas. Kështu besoj se ky është një rast i mirë, është moment historik. Dhe do të doja t’i jepja një mesazh të gjithëve atyre të përfshirë në proces të përpiqen të tejkalojnë vështirësitë, në mënyrë që të dy vendet të hapin negociatat përpara përfundimit të presidencës franceze.

DW: Si e shihni pozicionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me luftën në Ukrainë? Për shembull, pozicionimin e Serbisë?

Borrell: Vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor kanë marrëdhënie të ndryshme me Rusinë. Ky është fakt historik e gjeografik, por kryesisht historik, dhe nuk është sekret që Shqipëria është shumë më tepër në përputhje me Bashkimin Evropian në politikën e saj të jashtme se sa Serbia. Megjithatë, duhet thënë që Serbia ka votuar kundër Rusisë në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si hap shumë i rëndësishëm që e çon drejt anës së Bashkimit Evropian, ndërkohë që flitet për të drejtat e njeriut, sovranitetin e kombeve dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kërcënohet Ardian Gjini

Story i radhës

Ulet sërish çmimi i naftës: 203 lekë/litër nga dita e sotme deri më 21 mars

Të fundit nga

Vdes stilisti Menduh Mullaademi – Menda

Sot është ndarë nga jeta stilisti i shquar, Menduh Mullaademi – Menda. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij në rrjetin social, Facebook. “Me pikëllim të thellë, ju njoftojmë se
ShkoLartë