Përfaqësuesit e lartë evropianë kanë bërë thirrje për arritjen e konsensusit të brendshëm politik në Maqedoninë e Veriut për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE).
Pas zhvillimit të takimit të 16-të të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, i cili për herë të parë u mbajt në Shkup, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, mbajtën një konferencë të përbashkët në të cilën mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell tha se mbajtja e mbledhjes në Shkup, e jo në Bruksel, bëhet për të vlerësuar progresin e Maqedonisë së Veriut.
“Mbajtja e mbledhjes këtu sot, vërtet tregon se BE po ju afrohet dhe gjithashtu tregon se Ballkani Perëndimor janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet kyç për BE-në dhe një pjesë e rëndësishme e dimensionit tonë gjeopolitik”, tha Borrell.
Ai u shpreh se me miratimin e kornizës negociuese në korrik të vitit të kaluar, dera për anëtarësim të plotë është hapur, duke shtuar se sot kishin rastin të shohin çfarë ka arritur Maqedonia e Veriut në aspekt të plotësimit të kritereve ekonomike dhe politike.
Borrell theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE, pasi sipas tij, “vetëm të bashkuar do të mund t’u përballemi me sfidat e mjedisit të vështirë gjeopolitik”.
Ai bëri thirrje për krijimin e kushteve për miratimin e amendamenteve kushtetuese që burojnë nga korniza negociuese, ku parashihet edhe inkuadrimi i bullgarëve në Kushtetutë si pakicë kombëtare.
“Ky vit është një vit kyç. Marrëveshja e korrikut është marrëveshja më e mirë që ju mund të fitoni dhe nuk është reale të besoni se kjo mund të rihapet për negociata të reja. Ardhmëria juaj në BE mbështetet në këtë bazë. Tani është koha që partitë politike të zbatojnë përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë seriozisht për të vazhduar në këtë rrugë”, tha Borrell.