Ka përfunduar darka në mes të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Gazetari Hekuran Sokoli, i cili po përcjell nga afër zhvillimet në Ohër, ka arritur ta pyesë Borrellin për pritshmëritë e tij.
“Le të presim deri nesër, patjetër që pritshmëritë janë pozitive”, deklaroi Borrell.
Darka i parapriu takimit të nesërm në Ohër, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kujtojmë se në takimet e nesërme që do të diskutohet për aneksin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, pos delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë – që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së – do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit.
Propozimi evropian përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Teksa Serbia insiston që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke.