Borissov në kërkim të koalicionit, heq dorë nga posti i kryeministrit

min lexim

Ish-kryeministri bullgar, Boyko Borissov, partia e së cilit, GERB, ka dalë e para në zgjedhjet e fundit, më 4 tetor ftoi kundërshtarët e tij politikë për bisedime për formimin e Qeverisë së re.

Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës tregojnë se partia e qendrës së djathtë, GERB, ka siguruar 25.4 për qind të votave, duke fituar 5 pikë të përqindjes më shumë sesa partia reformatore, Ne vazhdojmë ndryshimin. Pesë parti të tjera po ashtu kanë kaluar pragun prej 4 për qind për të fituar mandate në Parlamentin prej 240 ulësesh.

Borissov ka udhëhequr tri qeveri në periudhën 2009-2021. Reputacioni i tij u dëmtua nga pretendimet për korrupsion, lidhje me oligarkët dhe shtypjen e lirisë së mediave. Këto pretendime nxitën protesta në Bullgari.

Duke folur me gazetarët në selinë e partisë së tij, Borissov tha se ai nuk dëshiron të bëhet kryeministër, as ministër apo deputet i Parlamentit.

“Tani nuk është koha e duhur për dominim, por për arritjen e unitetit”, tha Borissov, duke shtuar se rreth 80 për qind e bullgarëve dëshirojnë që të formohet një Qeveri e re dhe jo të mbahen sërish zgjedhjet.

Ai propozoi që ekspertët partiakë të gjejnë gjuhë të përbashkët midis partnerëve të mundshëm të koalicionit për çështjet kryesore të politikës së jashtme dhe të brendshme.

Borissov tha se çështja më e rëndësishme në këto bisedime është që të përcaktohet se kush e mbështet Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, dhe kush është kundër.

“Le të jetë kjo çështja e parë për të cilën ne mund të themi qartësisht pozicionet tona”, tha ai.

Çështje tjera për të cilat partnerët e ardhshëm qeverisës duhet të gjejnë konsensus janë masat për përballje me inflacionin, çmimet e rritura të energjisë, bashkimit në Eurozonë dhe pjesëmarrja në Zonën e Shengenit.

“Ne insistojmë që të formohet një ekzekutiv në mënyrë që njerëzit të mund ta mbijetojnë këtë dimër”, tha Borisovv duke shtuar se kabineti i ri duhet të formohet në atë mënyrë që të mund të përfundojë mandatin e plotë prej katër vjetësh.

Më 2 tetor, në Bullgari u mbajtën zgjedhjet e katërta në 18 muajt e fundit. Zgjedhjet erdhën pasi Qeveria e udhëhequr nga Kiril Petkov, u rrëzua në qershor, vetëm gjashtë muaj pasi mori mandatin, për shkak se njëri nga partnerët braktisi koalicionin qeverisës./REL

Story i mëparshëm

Mickoski: Të tregojmë shtetësi dhe jo të mbledhim pikë politike

Story i radhës

Për parandalimin e manipulimit të ndeshjeve sportive

Të fundit nga