Blinken: Nevojitet ulje e verifikueshme dhe kuptimplotë e tensioneve nga ana e Rusisë

February 15, 2022
min lexim

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi sot se sekretari i Shtetit Antony Blinken zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Sekretari përsëriti angazhimin amerikan për një zgjidhje diplomatike të krizës që ka nxitur Moska. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po presin të marrin përgjigjen me shkrim nga ana e Rusisë ndaj dy letrave që Uashingtoni dhe NATO i kanë dërguar veç e veç Moskës muajin e kaluar, duke propozuar fusha konkrete për diskutim në lidhje me sigurinë evropiane në koordinim me aleatët dhe partnerët e tyre.

Sekretari Blinken përsëriti shqetësimet e vazhdueshëm se Rusia ka kapacitetin e duhur për të nisur një sulm ndaj Ukrainës në çdo moment dhe theksoi nevojën për të parë një ulje të verifikueshme të tensioneve, e cila të jetë e besueshme e kuptimplotë.

Zoti Blinken nënvizoi se ndërsa një agresion rus kundër Ukrainës do të merrte një përgjigje të shpejtë, të ashpër e të bashkuar transatlantike, SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj rrugës diplomatike. Uashingtoni beson se ka ende mundësi për të zgjidhje të krizën në mënyrë paqësore.

Telefonata e zotit Blinken me homologun e tij vjen pasi Rusia njoftoi se po tërheq një pjesë të trupave nga kufiri me Ukrainën.

Po sot Presidenti rus Vladimir Putin tha se ai përshëndet një dialog të sigurisë me Perëndimin pasi ushtria e tij raportoi tërheqjen e një pjese të trupave nga kufiri me Ukrainën, sinjale që mund të tregojnë se Kremlini ka zgjedhur rrugën diplomatike për momentin, pavarësisht frikës së Perëndimit për një sulm të afërt rus ndaj fqinjit të saj.

Zoti Putin tha se ai nuk dëshiron luftë dhe do të mbështetet në negociatat ndërsa i dha shtytje kërkesës së tij që Perëndimi të ndalojë ofertën e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n. Në të njëjtën kohë, ai nuk u angazhua për një tërheqje të plotë të trupave, duke thënë se lëvizjet e ardhshme të Rusisë do të varen nga mënyra se si evoluon situata.

Ndërsa hapat qetësuan tregjet globale që kanë qenë në rënie mes tensioneve më të rënda Lindje-Perëndim në dekada, Uashingtoni dhe aleatët e tij evropianë mbajtën një qëndrim të kujdesshëm, duke thënë se duan të shohin prova të një tërheqjeje ruse.

SHBA dhe NATO kanë paralajmëruar se mbi 130,000 forca ruse të grumbulluara pranë Ukrainës mund të sulmojnë në çdo kohë Ukrainën dhe dërguan trupa dhe furnizime ushtarake për të mbështetur anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore. Rusia ka mohuar të ketë plane të tilla, duke kërkuar që Perëndimi të mbajë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike jashtë aleancës, të ndalojë vendosjen e armëve pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat nga Evropa Lindore.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj i kanë hedhur poshtë këto kërkesa, por i kanë ofruar Rusisë të angazhohet në bisedime për mënyrat për të forcuar sigurinë në Evropë.

Duke folur pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, zoti Putin tha se Perëndimi ra dakord të diskutonte një ndalim të vendosjes së raketave në Evropë, kufizime në stërvitjet ushtarake dhe masa të tjera të ndërtimit të besimit – çështje që Moska i kishte vënë në tryezë vite më parë.

Ai tha se Rusia është e hapur për të diskutuar “disa nga këta elementë”, por shtoi se do ta bëjë këtë vetëm “në përputhje me çështjet kryesore që janë me rëndësi parësore për ne”.

I pyetur nëse mund të ketë një luftë në Evropë, presidenti Putin tha se Rusia nuk e dëshiron atë, por shtoi se oferta e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n përbën një kërcënim të madh të sigurisë për vendin e tij.

Ndërsa kancelari Scholz përsëriti se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes “nuk është në rendin e ditës — të gjithë e dinë shumë mirë”, zoti Putin u përgjigj se Moska nuk do të qetësohet nga garanci të tilla.

“Ata po na thonë se nuk do të ndodhë nesër,” tha zoti Putin. “Epo, kur do të ndodhë? Pasnesër? Çfarë ndryshon për ne në perspektivën historike? Asgjë.”

Ai vazhdoi të argumentonte se zgjerimi i NATO-s shkel parimin e pandashmërisë së sigurisë të sanksionuar në dokumentet ndërkombëtare.

“Ne duam ta zgjidhim këtë çështje tani si pjesë e procesit të negociatave me mjete paqësore”, tha presidenti Putin. “Ne shpresojmë shumë që partnerët tanë të dëgjojnë shqetësimet tona dhe t’i marrin ato seriozisht”.

Kancelari Scholz tha gjithashtu se opsionet diplomatike nuk kanë shterur dhe vlerësoi njoftimin e një tërheqjeje të trupave si një “sinjal të mirë”, duke shtuar se ai shpresonte do të pasohej nga “hapa të tjerë pozitivë”.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi imazhe të tankeve dhe artilerive që hynë në platformat hekurudhore dhe të tjera tanke që u sprapsën nëpër fusha me dëborë. Ai nuk bëri të ditur se ku ose kur janë marrë imazhet, ose ku po shkonin ato, përveçse “në vendet e bazave të përhershme”.

Forcat ruse vazhdojnë të kërcënojnë Ukrainën përgjatë kufirit lindor dhe nga gadishulli i Krimesë në Detin e Zi që Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, vit kur ajo gjithashtu mbështeti një kryengritje separatiste në lindje të vendit. Më shumë trupa ruse u shfaqën në Bjellorusi, për stërvitje të përbashkëta gjithëpërfshirëse.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se analistët e Pentagonit po shqyrtojnë pretendimet ruse për tërheqje.

Ukraina shprehu skepticizëm në lidhje me deklaratat e Rusisë për tërheqjen.

“Nuk do të besojmë ato që dëgjojmë, do të besojmë ato që shohim. Kur të shohim tërheqjen e trupave, ne do të besojmë në uljen e përshkallëzimit”, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “deri më tani, ne nuk kemi parë … ndonjë shenjë të reduktimit të pranisë ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës”, duke shtuar se aleanca dëshiron të shohë një “tërheqje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme të forcave, trupave , dhe të pajisjeve të rënda”.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss përsëriti se rreziku i sulmit ekziston ende. Ministrja e Jashtme norvegjeze Anniken Huitfeldt lëshoi një paralajmërim të ngjashëm dhe agjencia e inteligjencës së jashtme të Estonisë tha se forcat e armatosura ruse mund të nisin një operacion “nga gjysma e dytë e shkurtit”.

Pak rusë presin një luftë, pas hedhjes poshtë nga Kremlini të paralajmërimeve perëndimore si “histeri” dhe “absurditet”./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kërcënimet kibernetike!

Story i radhës

Apartament në New York dhe Tiranë, gjyqtari jep shpjegime për pasurinë

Të fundit nga

Milani fiton në Bratisllavë 

Milani ka marrë pikë të plota në Bratisllavë.  “Rossonerët” shënuan fitore me rezultat 3:2 ndaj Sllovanit. Për Mlanin shënuan Pulisic (21′), Leao (68′) e Abraham (71′) dhe për vendasit Barseghyan (24′) e
ShkoLartë