Blinken ia përmend Izraelit rëndësinë e mbrojtjes së civilëve pas sulmeve në Bejrut

min lexim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Uashingtoni është ende duke punuar për të parandaluar një luftë të madhe në Lindje të Mesme, dhe i ka bërë thirrje Izraelit që t’i mbrojë civilët, pasi 22 njerëz janë vrarë nga sulmet në qendër të Bejrutit.

Blinken ka folur një ditë pasi sulmet ajrore izraelite kanë shënjestruar dy ndërtesa në Bejrut, njëra prej të cilave është shkatërruar plotësisht.

Ne vazhdojmë të angazhohemi intensivisht për të parandaluar një konflikt më të gjerë në rajon”, u ka thënë Blinken gazetarëve pas një Samiti të Azisë Lindore në Laos, duke shtuar se është “shumë me rëndësi” për Izraelin që të garantojë se civilët janë të mbrojtur gjatë konfliktit.

Burimet libaneze kanë thënë se të paktën një figurë e lartë e Hezbollahut është shënjestruar në sulme, të tretat me radhë në Bejrut, prej kur Izraeli ka nisur fushatën në jug të Libanit, muajin e kaluar, kundër milicisë së Hezbollahut, të përkrahur nga Irani.

Këto veprime kanë rritur frikën për ndonjë luftë të madhe rajonale.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Televizioni Al-Manar i Hezbollahut ka thënë pas sulmeve se tentimet për të vrarë Wafiq Safanin, një zyrtar të lartë të sigurisë së grupit, kanë dështuar.

Në raportime është thënë se Safa nuk ka qenë në asnjërën prej ndërtesave të shënjestruara.

Safa udhëheq një departament përgjegjës për të punuar me agjencitë e sigurisë së Libanit, kanë thënë burimet.

Në një tjetër incident, më 10 tetor, forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në jug të Libanit, kanë thënë se një tanke izraelite ka goditur ndërtesën ku gjendet selia e tyre në qytezën Naqoura, dhe për pasojë janë plagosur dy paqeruajtës.

Kombësia e paqeruajtësve nuk është bërë e ditur.

Misioni i Kombeve të Bashkuara ka thënë përmes një deklarate se si pasojë e sulmeve izraelite janë dëmtuar edhe makinat, si dhe një sistem komunikimi./REL

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Kryetari i Kamenicës, Rahimaj: Agim Aliu po gënjen publiksht, komunat veriore nuk janë pjesë e AKK-së

Story i radhës

Vinicius Junior i rritet vlera, bashkë me Haaland më të vlefshmit në botë

Të fundit nga