Bjellorusia pretendon se Ukraina ka lëshuar raketa ndaj objekteve të saj ushtarake. Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko tha se Minsku nuk dëshiron luftë me Ukrainë, por nëse territori i tij pushtohet atëherë do të luftojë.
Ai shtoi se forcat e Armatosura të vendit kanë regjistruar raketa të lëshuara nga Ukraina që synonin të godisnin instalimet ushtarake në tokën bjelloruse. Sipas tij ngjarje kjo e ndodhur tri ditë më parë. Ndërsa nga autoritetet ukrainase nuk ka ende asnjë reagim lidhur me këto pretendime.
“Ata na sfidojnë. Më duhet t’ju them se tre ditë më parë, ndoshta pak më shumë, ka pasur një përpjekje për të goditur instalimet ushtarake në territorin e Bjellorusisë, nga territori i Ukrainës”, tha Lukashenko.
Kujtojmë se Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë dhe e lejoi atë të përdorte territorin e saj për të pushtuar Ukrainën më 24 shkurt.