Ministria e Situatave Emergjente të Bjellorusisë ka dërguar një helikopter dhe një ekip zjarrfikës për të punuar në zonat pyjore gjatë periudhës së verës në Türkiye, raporton Anadolu.
Sipas një deklarate për Anadolu nga shërbimi për shtyp i ministrisë, helikopteri i llojit Mi-8 dhe ekipi zjarrfikës që janë dërguar me udhëzim të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, kanë mbërritur në Istanbul.
Në deklaratë thuhet se ekipet janë dërguar për të shërbyer kundër zjarreve të mundshme pyjore që mund të paraqiten në muajt e verës.
“Ekipet tona shkojnë çdo vit me detyrë në rajone malore ku shuarja e zjarrit është e vështirë me rrugë tokësore. Tani aviatorët e Ministrisë së Emergjencave të Bjellorusisë janë në fazën e trajnimit aktiv. Ata po inspektojnë zonat e fluturimit në Istanbul, duke përgatitur helikopterin dhe shportën e ujit për shuarjen e zjarrit. Në ekipin zjarrfikës do të përfshihen gjithsej shtatë persona, katër prej të cilëve pilotë dhe tre inxhinierë”, njoftoi ministria
Në deklaratë thuhet se ekipet që nga 1 qershori do të përfshihen në misionet për shuarjen e zjarreve.