Biznesmeni Alush Koka, babai i shqiptarit të arrestuar gjatë protestave në Shkup kërkon që djali i tij të lirohet nga burgu.
Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, biznesmeni thotë se djali i tij, Isuf Koka ishte detyruar të gjuajë me armë në ajër për të zmbrapsur huliganët që kishin nisur dëmtimin e hotelit të tij. Sipas tij, gjithçka ka qenë për vetëmbrojte dhe nuk ka pasur asnjë skenar.
Ai nënvizon se shteti nuk ka reaguar asnjëherë për të identifikuar personat që kryejnë akte të tilla, si shkatërrim i pronave të shqiptarëve.
“Djalin e kanë marrë, e kanë arrestuar menjëherë. E mora vesh prej rrjeteve sociale që diçka po ndodhte në objektin tim. Menjëherë erdha, ishte turmë e madhe, polici. Më treguan që më arrestuan edhe djalin. Ne ke kemi informuar policinë 2-3 ditë më parë edhe gojarisht. E dinim që do kishim pasoja se huliganë nuk janë vetëm sot. Këta kanë përdorur dhunë edhe në parlament, kanë përdorur dhunë në pronat shqiptare. Askush nga shteti nuk ka marrë pjesë për t’i identifikuar kush janë ata njerëz. Nuk jam kundra protestuesve, por mos bëjnë dëm ndaj provave tona”, u shpreh ai.
Koka i tha gazetares Ferikan Iljazi, se po te mos të ishte arma e djalit të tij, shumë prona shqiptare në Çarshi të Shkupit do të shkatërroheshin gjatë protestës së djeshme siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën.
“Djali kur i ka parë ato turmat, ka pasur armë me leje dhe ku ka parë që i rrezikohet pronat dhe jeta ka reaguar. Duhen qartë dëmtimet. Tek ne nëse arrestohen sulmuesit, arrestohen mbrojtësit. Asnjëherë nuk ka reaguar policia edhe herët e kaluara. Nuk duhet të na bëjnë dëm ne”, u shpreh ai.
Alush Koka refuzon në mënyrë kategorike akuzat e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se djali i tij ka qenë i porositur për ta vrarë atë.
“Janë vetëm gënjeshtra, djali ka qenë duke pirë kafe dhe kur pa që po i dëmtohej prona, kur iu thyen xhamat, reagoi. S’ka pasur kurrë ide për vrasjen e liderit. Janë montime që po bëjnë nga partitë. Skënderbeu është këtu. Qindra shqiptarë kanë bërë burg për të mbrojtur bustin”, tregoi ai.
Koka i bën thirrje qeverie dhe kryetarëve të partive në RMV që të vendoset drejtësi për djalin e tij.