Bitcoin u ngjit mbi 100 mijë dollarë ditën e Enjte për herë të parë që prej muajit Shkurt mbështetur edhe nga një marrëveshje e gjerë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, një sinjal se mbase lufta tregtare e presidentit Amerikan Donald Trump me pjesën tjetër të botës po zbutet.
Ditën e djeshme kriptomonedha më e madhe në botë arriti çmimin e 103,890 dollarë sipas CoinGecko ndërsa aktualisht këmbehet me 103,739 dollarë, por ende mbetet nën rekordin prej 109,000 dollarëve që arriti në Janar.
Ether, kriptomonedha e dytë u rrit me 26 përqind në 2,403 dollarë në 24 orët e fundit. Trump dhe kryeministri Britanik Starmer zbuluan marrëveshjen tregtare mes vendeve dhe është e para që kur presidenti Amerikan nisi një luftë globale tregtare me një seri tarifash ndaj partnerëve.
“Rikthimi në vlerën 100,000 dollarë duhet të konsiderohet si një nga arritjet më të fuqishme të bitcoin-it dhe është një kujtesë se blerja gjatë frikës maksimale – vetëm muajin e kaluar bitcoin po qëndronte rreth 74,000 dollarë – mund të jetë jashtëzakonisht fitimprurëse,” tha Antoni Trenchev, bashkëthemelues i platformës për tregtimin e aseteve dixhitale Nexo.
Çmimet e Bitcoin-it dhe kriptovalutave të tjera ranë ndjeshëm midis shkurtit dhe prillit, pasi tregtarët u shqetësuan se Trump po i shtynte më ngadalë se sa pritej reformat pro-kripto.
Njoftimi i presidentit për tarifa të gjera në fillim të prillit shkaktoi një ikje drejt aseteve të sigurta, me çmimet e bitcoin-it dhe kriptovalutave të tjera që ranë së bashku me aksionet dhe asetet e tjera me rrezik të lartë. /PCWorld Albanian
Burimi: pcworld.al