Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim mëngjesin e sotëm Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.
Përmes një komunikate thuhet se ata biseduan për një sërë çështjesh të rëndësishme të cilat lidhen me aktualitetin dhe situatën e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Ndër temat të cilat u diskutuan në këtë takim sipas njoftimit ishte edhe nevoja për përkrahje të shtuar për shqiptarët atje, të cilët vazhdojnë të përballen me sfida të shumta, duke përfshirë diskriminimin dhe shtypjen sistematike.
“Me këtë rast, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu shqetësimet e thella në lidhje me vazhdimin e praktikave diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe ritheksoi përkushtimin për të qëndruar pranë dhe për të mbështetur të drejtat e ligjshme të shqiptarëve atje. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vijojë të ofrojë mbështetje të gjithanshme për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, me fokus kryesor në avancimin e të drejtave të tyre dhe për një perspektivë më të ndritur për bashkatdhetarët tanë”, thuhet në komunikatë.
BURIMI: Bota Sot