Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së Brukselit për takim në javën e ardhshme për çështjen e dinarit, me arsyetimin se kjo temë nuk është pjesë e dialogut.
Bislimi tha se ky nuk është takim ku duhet të shkoj kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Ai ceku se do të jetë prezent atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen e Bazike.
Ndërsa rreth deklaratës së tij ditë me parë ku ka kërkuar nga BE-ja që të hiqen masat ndaj Kosovës, Bsilimi tha se ‘ishte lutje’ nuk ishte kërcënim. Sipas tij, Kosova nuk ka kapacitet as interesim që të kërcënojë BE-në.
Bislimi: Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike
“Jo nuk ka kurrfarë zhvillimi, ka një kërkesë nga Bruskeli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për në Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkoj kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur bisedohet për marrëveshjen bazike, kështu që do të shohim se kush mund të shkojë të bisedoj për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorëve ,” tha Bislimi.
Kështu bëri të ditur ai pas tryezës “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, të organizuar në Çagllavicë nga Qendra për Dialog Humanitar, teksa ka treguar edhe për qëndrimin e vendeve aleate.
Bislimi tutje është përgjigjur edhe për postimin e tij në X, me të cilën ka kritikuar kryenegociatorin Miroslav Lajçak për takimin e tij me organizata të shoqërisë civile nga pala serbe.
Bislimi: Lajçak më ka dërguar shkresën mua, sepse vazhdimisht komunikon me mua
“Lajçak më ka dërguar shkresën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua. Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelur parimet që ai i ka vendosur vetë, sepse është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim parapak me palët dhe është munduar që të përcaktoj agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021 që as një temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”, shtoi ai.
Ndërkaq, i pyetur në lidhje me deklaratën e tij të dhënë ditë me parë ku ka kërkuar nga BE që të hiqen masat, tha se kjo deklaratë nuk mund të merret si kërcenim, pasi që sipas tij, Kosova nuk ka as kapacitet as interesim që të kërcënoj BE-në.
Bislimi: Nuk është kërcenim është lutje mos na detyroni
“Ky është konotacion që mase dikush nga pjesa tjetër e spektrit politikë në Kosovë dëshiron me ja dhënë. Ne në vazhdimësi kemi dërguar shkresa që kemi thënë që ne i kemi përmbushur obligimet të cilat burojnë nga marrëveshja e Bratisllavës, e cila është për zbatimin e qëndrimeve të Bashkimit Evropian të datës 3 qershor, dhe ftesa e ime është lutje mos na detyroni që të merremi ende me eskalim sepse situata në teren është e mirë. Nuk është kërcenim është lutje mos na detyroni. Do të thotë hiqni masat se krijohet përshtypja sikur po detyrohemi që ende merremi me de-eskalim ku nuk ka. Nuk është kërcenim se Kosova nuk ka as kapacitet as interesim që të kërcënoj BE-në, ne po bëjmë maksimumin që të përshpejtojmë procesin e integrimit në BE,” theksoi Bislimi.