BIRN: Qeveria në kërkim të investitorëve të huaj për kombinatin e armëve në Poliçan

April 19, 2024
min lexim

Këshilli i Ministrave miratoi një projektligj për shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan pas një interesi të rizgjuar për prodhuar municion në vend.

Qeveria miratoi të mërkurën një projektligj për shlyerjen e detyrimeve financiare të prapambetura për pagat dhe sigurimet e ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan, një ndërmarrje shtetërore e themeluar në vitin 1962 me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura shqiptare për armatim.

Krahas pranimit të këtyre detyrimeve, që kapin shifrën 83.8 milionë lekëve, qeveria deklaron se po përgatitet ta rikthejë këtë kombinat në punë për prodhim municionesh ushtarake duke kërkuar investitorë të huaj.

Projektligji parashikon pagesat e detyrimeve për paga, sigurime shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve e të ish-punonjësve për vitet 2017-2023 nga fondet buxhetore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Numri i personave që preken nga ky projektligj është 131, nga të cilët katër janë punonjës aktualë dhe 127 të tjerë të larguar nga puna.

Vendimi kaloi në mbledhjen e qeverisë 24 orë para se ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi të përballej në një interpelancë parlamentare të thirrur nga kolegu i tij socialist, Nasip Naço, pikërisht për këtë çështje.

Gjatë fjalës në Kuvend të enjten, Peleshi tha se qeveria po planifikon të rivendosë në punë ish-industrinë ushtarake për t’u futur në një epokë të re të prodhimit të municionit ushtarak.

“Rijetësimi i industrisë ushtarake është synim strategjik,” tha Peleshi, duke shtuar se, “po hyjmë në një epokë të re, që nuk është militarizim, por të kontribuojmë në rritjen e kapaciteteve të prodhimit edhe në kuadër të aleancës në NATO”.

Peleshi bëri të ditur se  agjencia e prokurimeve të NATO-s ka kryer një raport para-fizibiliteti për Poliçanin për të kuptuar sipas tij, “se cila është vlera e aseteve tona dhe kërkesat globale”.

Gjithashtu, ai pranoi se ka pasur investitorë potencialë të interesuar nga disa vende si Turqia, Italia, Izraeli, etj., dhe se qeveria po planifikonte të futej partnere në këto investime.

Interesi i Shqipërisë për t’u rikthyer te prodhimi i armëve u artikulua në publik gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski në shkurt, i cili kërkoi nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit që të bashkëpunojnë në prodhimin e municioneve, si një mbështetje për Ukrainën në konfliktin ushtarak me Rusinë.

Kombinati Mekanik i Poliçanit, sipas informacionit zyrtar në faqen e ministrisë së Mbrojtjes, deri në vitet ’90 ka pasur linja prodhimi municionesh nga më të ndryshmet, të tilla si municion për “Kallashnikov”, mortajë 82 mm, granata dore deri tek minat anti-tank e mortaja të kalibrave më të lartë.

Aktualisht, ndërmarrja prodhon vetëm municion pistolete të tipit “Makarov” dhe “Parabellum” me kalibër 19mm, por sipas ministrisë, ajo ka kapacitet edhe për prodhime fonderie hekuri dhe çeliku.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Arrestohet 72 vjeçari nga Tetova, akuzohet për sulm fizik ndaj rejës së tij

Story i radhës

Çfarë ndodhi gjatë natës mes Heidit dhe Romeos? Egla largohet nga shtrati

Të fundit nga

ShkoLartë