2025-sa solli një rënie të ndjeshme të emigrimit në Gjermani, e dëshmuar kjo nga të dhënat e publikuara nga Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden.
Vitin e kaluar, në këtë vend u vendosen rreth 1.48 milionë persona, që do të thotë 13% më pak krahasuar me vitin 2024. Edhe numri i largimeve nga Gjermania ra lehtë, me rreth 2%, duke arritur në 1.25 milionë persona.
Si pasojë, emigrimi neto- diferenca midis numrit të personave që hyjnë dhe atyre që largohen nga vendi- zbriti në 235.000 persona, ose 45% më pak se një vit më parë.
Autoritetet thonë se një nga arsyet kryesore të kësaj rënieje është ulja e numrit të azilkërkuesve nga vendet që tradicionalisht kanë qenë burime të rëndësishme emigracioni drejt Gjermanisë. Kështu, emigrimi nga Siria ra me 67%, ndërsa ai nga Afganistani me 41%. Rënie u shënua edhe te qytetarët ukrainas, me 21% më pak krahasuar me vitin paraardhës. Një tjetër faktor ishte edhe ulja e emigracionit nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
Në të njëjtën kohë, statistikat tregojnë se më shumë shtetas gjermanë po largohen nga vendi. Destinacionet më të preferuara për emigrantët gjermanë ishin Zvicra, ku u zhvendosën rreth 23.000 persona, Austria me 14.000 dhe Spanja me 10.000 persona.
Burimi: botasot.info


