Çmimi i naftës Brent humbi më shumë se 9,3 për qind gjatë javës që përfundon sot, 5 gusht, pasi mbi çmimet ndikuan shqetësimet e mungesës së furnizimit, pritjet më të ulëta të kërkesës dhe të dhënat e dobëta ekonomike.
Nafta e papërpunuar Brent mëngjesin e sotëm tregtohej me 94,17 dollarë për fuçi, duke shënuar rënie prej 9,4 për qind krahasuar nga mëngjesi i të hënës kur tregtohej me 103,92 dollarë për fuçi.
Standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) mëngjesin e sotëm tregtohej me 88,52 dollarë për fuqi, respektivisht duke shënuar një rënie prej 10 për qind krahasuar me mëngjesin e të hënës kur tregtohej me 98,46 dollarë për fuçi.
Çmimet e naftës shënuar rënie të hënën ndërsa të martën thelluan më tej humbjet si pasojë e të dhënave ekonomike nga Kina, Japonia dhe SHBA-ja.
Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve të Prodhimit (PMI) i Kinës ra në 49 nga 50.2 sa ishte në muajin qershor, krahasuar me pritjet e tregut prej 50.4.
Aktiviteti prodhues i Japonisë në muajin korrik ishte në ritmin më të ngadaltë në 10 muajt e fundit. PMI-ja e muajit korrik në SHBA arriti 52,8 për qind, duke shënuar një rënie prej 0.2 pikë përqindjeje nga muaji qershor.
Çmimet e naftës u rritën mëngjesin e së mërkurës për shkak të rritjes së pritshme të inventarit të naftës bruto në SHBA dhe pasigurisë së furnizimit përpara takimit të shumëpritur të grupit OPEC+.
Duke sinjalizuar perspektivën e dobët të kërkesës, të dhënat e lëshuara nga Administrata e Informacionit të Energjisë të mërkurën treguan se inventarët komercial të naftës bruto në SHBA u rritën me 4.5 milionë fuçi, duke arritur në 426.6 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 29 korrik, raporton anadoluagency.
Të mërkurën, OPEC+ ra dakord për të rritur prodhimin në muajin shtator me vetëm 100 mijë fuçi në ditë. Si çmimi i naftës Brent, ashtu edhe ai i WTI-së u rritën të mërkurën pas njoftimit të OPEC-it, pasi investitorët e naftës prisnin rritje më të madhe të prodhimit, por deri në mesditë çmimet ranë rreth 2 për qind.
Dje, çmimet vazhduan spiralen e rënies duke arritur në nivelet më të ulëta 6-mujore, përkatësisht brenda ditës duke u tregtuar në 93,2 dollarë për fuçi si pasojë e vendimit të grupit OPEC+ dhe rritjes së papritur të inventarit të naftës së papërpunuar në SHBA.
Sot, të dhënat ekonomike që tregojnë ngadalësim ekonomik dhe perspektivën e një recesioni po frenojnë rritjen e çmimit të naftës.