Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet me homologun e tij kinez Xi Jinping të hënën në Bali të Indonezisë, në margjinat e samitit të G20, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Të dy udhëheqësit, të cilët do të kenë takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga zgjedhja e Joe Biden, do të diskutojnë se si të “menaxhojnë me përgjegjësi” marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, duke u përpjekur të “bashkëpunojnë aty ku interesat e tyre përkojnë”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Biden dhe Xi Jinping, të cilët kanë folur tashmë me telefon dhe video-konferencë disa herë, do të diskutojnë një sërë çështjesh “ndërkombëtare dhe rajonale”, tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, pa përmendur drejtpërdrejt fatin e Tajvanit.
“Ajo që dua të arrij me të, kur flasim, është të përcaktojmë se cilat janë vijat e kuqe” që duhet t’i respektojmë”, u tha Biden gazetarëve në Uashington.
“Doktrina e Tajvanit nuk ka ndryshuar”, theksoi ai, duke shmangur përsëritjen e deklaratës së tij të mëparshme se ushtria amerikane do të mbronte Tajvanin nëse sulmohej.
Xi Jinping fitoi një mandat të tretë si kreu i Partisë Komuniste Kineze muajin e kaluar, duke çimentuar statusin e tij si udhëheqësi më i fuqishëm kinez që nga Mao Tse-tung.