Presidenti i SHBA Joe Biden do të vizitojë Poloninë të premten pas takimeve me NATO-n dhe aleatët e BE-së, njoftoi Shtëpia e Bardhë, shkruan BBC, transmeton Bota sot.
Në Poloni, Biden do të takohet me Presidentin Andrzej Duda në Varshavë për të diskutuar përgjigjen humanitare ndaj luftës në Ukrainë.
“Presidenti do të diskutojë se si Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, po i përgjigjen krizës humanitare dhe të të drejtave të njeriut që ka krijuar lufta e pajustifikuar dhe e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë.
Të hënën, Biden do të mbajë një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin italian Mario Draghi dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson.
Të mërkurën, ai do të udhëtojë në Bruksel për të marrë pjesë në samitet në NATO dhe Këshillin Evropian, si dhe një takim të G7. Megjithatë, ai nuk ka plane të udhëtojë në Ukrainë gjatë udhëtimit të tij, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.