Një gjykatë ruse e shpalli fajtore basketbollisten amerikane, Brittney Griner, nën akuzat për kontrabandë droge. Gjykata tha se ajo kishte sjellë qëllimisht në Rusi vaj kanabisi.
Kampionia e dyfishtë olimpike u dënua me nëntë vjet burgim.
Sipas ligjeve ruse, dënimi maksimal për akuzat që rëndojnë ndaj Griner është dhjetë vjet burgim.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, lëshoi një deklaratë menjëherë pas shpalljes së dënimit, duke thënë se ky rast “është një përkujtues i radhës atë që bota tashmë e di: Rusia po e mban pa të drejtë Brittneyn”.
Ndërkaq, gjatë adresimit final para një gjykate ruse më herët gjatë 4 gushtit, kampionia e dyfishtë olimpike tha se ajo nuk kishte dashur që ta shkelte ligjin dhe se prindërit e kishin mësuar që të marrë përgjegjësi për veprimet e saj.
Griner gjendet në paraburgim në Rusi qëkur autoritetet i gjetën vaj kanabisi në valixhen e saj, teksa ajo po kalonte përmes aeroportit Sheremetyevo të Moskës në shkurt.
Kanabisi është ilegal në Rusi dhe ndalohet përdorimi i tij edhe për çështje mjekësore.