Në Varshavë presidenti amerikan, Joe Biden iu përgjigj jo drejtpërdrejt Putinit me fjalimin e tij. Mesazhi që lëshoi Biden; liria do të fitojë.
Kreu i botës së lirë dhe kreu i Kremlinit në Moskë mbajtën një fjalim parimor në të njëjtën ditë. Presidenti amerikan Joe Biden në Varshavë dhe Putin, i cili dha urdhrin për të sulmuar Ukrainën para një viti, e mbajti këtë fjalim në Moskë. Një lloj dueli në distancë, megjithatë nuk bëhej fjalë për një garë në një klub debati, por për luftën dhe paqen, jetën dhe vdekjen. Putin akuzoi Ukrainën, SHBA-në dhe sipas pikëpamjes së tij perëndimin “arrogant” se ata e filluan luftën në Ukrainë. Rusia vetëm duhet të mbrohet. Këtë pretendim nuk e injoroi Joe Biden, por iu drejtua popullit rus drejtpërdrejt. “Perëndimi nuk planifikon asnjë sulm kundër Rusisë.” Biden tha, se Putini e zgjodhi luftën. Ai mund ta mbarojë atë me një fjalë.
Sipas presidentit amerikan, Ukraina nuk mund të ndalë së luftuari, sepse kështu do të ndalte së ekzistuari.
Kritikë kundër kërcënimeve të Putinit
Putin bëri të ditur në Moskë, se Rusia del nga marrëveshja e superfuqive për kufizimin e armëve atomike. NATO dhe ministri i Jashtëm amerikan, Anthony Blinken e vlerësuan këtë si hap të papërgjegjshëm rus dhe i kërkuan Rusisë të rimendojë atë. Eksperti i sigurisë në Fondacionin Shkenca dhe Politika në Berlin, Stefan Meister e cilësoi këtë “mprehje shpatash nga Moska”. Por ai nuk pret që Putini do të shkallëzojë situatën nga ana nukleare, tha Meister për DW.
Në kopshtin e Kështjellës së Varshavës, Joe Biden para mijëra qytetarëve të mbledhur tha se në përballjen me Rusinë bëhet fjalë për luftën mes diktaturës dhe lirisë. Liria është “fjala më e ëmbël”, qëllimi më fisnik. “Gjithçka që bëjmë ne tani, e bëjmë me qëllim që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve të kenë përvojën e lirisë.” Liria është armikja e tiranëve, tha Biden. Sipas Biden, Putini përjeton sot atë që as në ëndërr nuk e kishte menduar para një viti. “Demokracitë janë më të forta sot, jo më të dobta. Autokacia është më e dobët, jo më e fortë.”
Ende nën përshtypjen e vizitës në Kiev, presidenti amerikan vlerësoi sakrificat që duhet të durojnë ukrainasit për të jetuar të lirë. “Ishte nder për mua që të nderoja heronjtë e Ukrainës që dhanë jetën e tyre”, tha Biden. e siç pritej, Biden përsëriti “detyrimin e pathyeshëm” të SHBA të mbrojë NATO-n dhe të ndihmojë Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse kundër Rusisë, me mjete financiare, armë dhe municione, për sa kohë të jetë e nevojshme. Por më konkretisht, Biden nuk u shpreh. Ai nuk përmendi sisteme armësh apo hapësira kohore, po u shpreh, se vendimet që do të marrim në “pesë vitet e ardhshme, do të përcaktojnë jetën tonë me dekada“.
Partner i veçantë Polonia
Mikpritësi polak, Andrzej Duda ishte shumë i kënaqur me vizitën e dytë të presidentit amerikan në 11 muaj. Ai falënderoi për këtë vizitë simbolike dhe mbështetjen e SHBA-së. “Amerika do të mbrojë perëndimin dhe vlerat e tij gjithmonë”, tha Duda.
Premtime konkrete për më shumë ushtarë amerikanë Biden nuk bëri. Në Poloni janë stacionuar 10.000 ushtarë amerikanë, kryesisht si njësi me rotacion. “Politologu Marek Madej e vlerësoi vizitën si shumë të rëndësishme për Poloninë. “Një vizitë si kjo është qartësisht një simbol se sa e rëndësishme dhe relevante është Polonia në arenën ndërkombëtare, sidomos në lidhje me Ukrainën.” Por ai nuk e ndan qëndrimin e shumë politologëve në Poloni, se Polonia është tani partneri i preferuar i SHBA. “Përqëndrimi tek Polonia lidhet me atë, që të gjitha transportet për në Ukrainë duhet të kalojnë në Poloni, nuk është çështje preference, po çështje e logjikës së pastër, logjikës gjeopolitike.” Nëse nuk do të ishte lufta në Ukrainë, ndoshta marrëdhënia mes Bidenit dhe Dudës nuk do ishte kaq e përzemërt. Në fund të fundit Duda ka qenë mbështetës i flaktë i presidentit Trump, rivalit të Joe Biden.
Sa gjatë është “për sa kohë të jetë e nevojshme”?
Në asnjë fjalim nuk u dëgjua se si do të merrte fund lufta në Ukrainë, të cilën Putini ende e quan “operacion special”. Presidenti Putin nuk ka lë të kuptohej, se ka vullnet për negociata, as presidenti Biden nuk lëvizi nga pozicioni, se Ukraina, e me këtë edhe perëndimi duhet ta fitojnë këtë luftë. Putin pretendoi se Rusia mund të rezistojë gjatë. Biden kërcënoi me sanksione të tjera dhe me një aftësi duruese të gjatë të aleatëve.
Pyetja që shtrohet për SHBA, është se si do të veprojë Kina në këtë konflikt. Qeveria në Pekin ka bërë të ditur, se do të paraqesë një plan paqeje dhe do të ndërmjetësojë. SHBA kritikojnë, se Kina së shpejti do t’u japë rusëve armëve vdekjeprurëse, sepse agresorit po i mbaron municioni. Pra sa kohë do të zgjasë “për sa kohë të jetë e nevojshme?” Kancelari gjerman, Olaf Scholz në një intervistë me CNN dha përgjigjen. “Mendoj se është e mençur të përgatitemi për një luftë të gjatë.”/DW