Biden për vizitë zyrtare në Hanoi, SHBA-ja dhe Vietnami përmirësojnë marrëdhëniet

min lexim

SHBA-ja dhe Vietnami përmirësuan marrëdhëniet e tyre dypalëshe të dielën në një Partneritet Gjithëpërfshirës Strategjik dhe nënshkruan një marrëveshje për zinxhirët e furnizimit me gjysmëpërçues, raporton Anadolu.

Zhvillimet erdhën pasi presidenti amerikan Joe Biden mbërriti në Hanoi për një vizitë shtetërore dyditore me qëllim thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Ai fluturoi për në kryeqytetin vietnamez pasi mori pjesë në samitin dyditor të liderëve të G20-ëshit në New Delhi, Indi.

Biden u takua me sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste në pushtet, Nguyen Phu Trong, dhe udhëheqës të tjerë për të eksploruar mundësitë e nxitjes së rritjes së ekonomisë vietnameze, zgjerimit të lidhjeve mes njerëzve dhe luftës kundër ndryshimeve klimatike.

SHBA-ja dhe Vietnami kanë lidhje gjithnjë e më të ngushta tregtare, kurse vizita po vëzhgohet me vëmendje teksa Washingtoni po forcon praninë e tij në rajonin më të gjerë të Azisë-Paqësorit duke iu kundërvënë ndikimit ekonomik dhe ushtarak në rritje të Kinës.

Të dy vendet rivendosën marrëdhëniet zyrtare diplomatike në 1995, 20 vjet pas përfundimit të Luftës së Vietnamit.

SHBA-ja dhe Vietnami i përmirësuan marrëdhëniet e tyre dypalëshe në një “Partneritet Gjithëpërfshirës Strategjik…ndërsa të dyja vendet punojnë së bashku për të arritur qëllimet tona të përbashkëta për paqen, prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Deklarata shtoi se Washingtoni dhe Hanoi njoftuan një partneritet të ri në zinxhirët e furnizimit me gjysmëpërçues.

“Një Memorandum Bashkëpunimi i saponënshkruar për Zinxhirët e Furnizimit të Gjysmëpërçuesve, Fuqinë Punëtore dhe Zhvillimin e Ekosistemit do të zyrtarizojë këtë partneritet dypalësh për të zgjeruar kapacitetin e ekosistemit të gjysmëpërçuesve në Vietnam, në mbështetje të industrisë amerikane. Nën Fondin Ndërkombëtar të Sigurisë së Teknologjisë dhe Inovacionit (Fondi ITSI ), i krijuar nga Akti CHIPS i vitit 2022, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Vietnamin për të zhvilluar më tej ekosistemin aktual të gjysmëpërçuesve të Vietnamit, kuadrin rregullator dhe nevojat e fuqisë punëtore dhe infrastrukturës”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Washingtoni dhe Hanoi nënshkruan një marrëveshje Partneriteti Gjithëpërfshirës në vitin 2013.

Vitin e kaluar, tregtia midis dy vendeve arriti në mbi 123,86 miliardë dollarë, me një rritje prej 11 për qind nga viti i mëparshëm.





Story i mëparshëm

Rritet në 2.122 numri i viktimave të tërmetit në Marok

Story i radhës

Meta uron nxënësit dhe mësuesit: Sakrifica e jashtëzakonshme e prindërve shqiptarë për t’u mundësuar fëmijëve arsimim sa më cilësor, një ditë do të shpërblehet

Të fundit nga