Biden nënshkruan projektligjin e buxhetit prej 1.7 trilion dollarësh

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka nënshkruar projektligjin e buxhetit prej 1.7 trilion dollarësh për vitin fiskal 2023, transmeton Anadolu Agency (AA).

Projektligji i buxhetit, i cili do t’i sigurojë financim qeverisë federale amerikane deri më 30 shtator 2023, kur përfundon viti fiskal 2023, iu dërgua për nënshkrim presidentit Biden pasi u miratua në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë bëhet e ditur se projektligji në fjalë është nënshkruar nga presidenti Biden.

Biden në llogarinë e tij në Twitter njoftoi se nënshkroi projektligjin e buxhetit që mori mbështetjen e të dyja palëve. “Një vit historik i përparimit po përfundon”, shkroi ai.

Duke theksuar se buxheti parashikon investime në kërkimin mjekësor, sigurinë, shërbimet shëndetësore të veteranëve, rimëkëmbjen nga fatkeqësitë dhe fondet e ligjit për dhunën kundër grave, Biden tha se buxheti do të sigurojë mbështetje të konsiderueshme për Ukrainën.

“Ne presim më shumë në vitin 2023”, tha presidenti amerikan.

Ndihma për Ukrainën

Paketa e buxhetit, e cila u dakordua pas disa muajsh negociata, përfshinë shpenzime jo mbrojtëse prej 772.5 miliardë dollarësh dhe financim të mbrojtjes prej 858 miliardë dollarësh.

Projektligji i buxhetit përfshin 45 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, humanitare dhe ekonomike për Ukrainën.

Rregullorja për ndalimin e punonjësve të qeverisë federale që të shkarkojnë aplikacionin, TikTok në pajisjet shtetërore është në projektligjin e buxhetit.

Projektligji cakton rreth 40 miliardë dollarë burime për të ndihmuar komunitetet në të gjithë vendin që të rikuperohen nga fatkeqësitë natyrore si thatësirat, uraganet, përmbytjet dhe zjarret.





Story i mëparshëm

Si të qëndroni sa më rehat me taka dhe të qetësoni dhimbjet e këmbëve kur festoni

Story i radhës

Viti i Ri faqe e re në librin e jetës

Të fundit nga