Presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi sot dokumentet e miratuara në Senat për mbështetjen për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancën Veri-Atlantike.
Biden, sipas CNN, tha në Shtëpinë e Bardhë përpara nënshkrimit të dokumenteve, se presidenti rus Vladimir Putin gaboi nëse mendonte se mund të sillte përçarje midis aleatëve perëndimorë.
“Aleanca jonë është më e ngushtë dhe më e fortë se kurrë dhe më e bashkuar se kurrë, dhe pas hyrjes së Finlandës dhe Suedisë, ne do të jemi më të fortë se kurrë”, tha Biden.
Javën e kaluar, Senati amerikan mbështeti hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO me 95 vota pro dhe një kundër.
Hyrja e Suedisë dhe Finlandës në NATO është ende e bllokuar nga Turqia, e cila kërkon që këto dy vende të përmbushin kërkesat e Ankarasë lidhur me ndërprerjen e mbështetjes për organizatat kurde që Turqia i konsideron terroriste.
Pranimi i çdo vendi të ri në NATO kërkon pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare.