Presidenti i SHBA-së, Joe Biden publikoi mesazh ngushëllimi për shkak të fatkeqësisë së përmbytjeve në Libi ku kanë humbur jetën mijëra persona, transmeton Anadolu.
Në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të internetit të Shtëpisë së Bardhë thuhet: “Jill dhe unë dërgojmë ngushëllimet tona për të gjithë familjet që kanë humbur të dashurit e tyre në përmbytjet shkatërruese në Libi”.
“Nëpërmjet organizatave amerikane të ndihmës, në rajon janë drejtuar fondet e situatës emergjente. SHBA-ja po punon në koordinim me autoritetet e Libisë dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për të siguruar mbështetje shtesë”, tha Biden.
Presidenti amerikan më tej ka ndarë mesazhin: “Ndajmë dhimbjen e popullit libian për numrin e madh të viktimave që janë shënuar dhe përcjellim urimin tonë për gjetjen e të dashurve të humbur”.
Fatkeqësia e përmbytjeve në Libi
Stuhia “Daniel” e cila është efektive në Mesdheun Qendror dhe që goditi Libinë më 10 shtator, ka shkaktuar fatkeqësi të përmbytjeve në qytetet Benghazi, Al Bayda, Al-Marj, Susa dhe Derna.
Agjencia zyrtare e lajmeve LANA e Libisë ka njoftuar se numri i të vdekurve në përmbytjet në qytetin Derna ka arritur në 5.300 dhe se mijëra të tjerë janë të zhdukur.
Zëdhënësi i Gjysmëhënës së Kuqe të Libisë, Tawfiq al-Shukri tha se parashikojnë se 20 mijë familje janë zhvendosur për shkak të fatkeqësisë së përmbytjes.
Kreu i Qeverisë së Unitetit Kombëtar, Abdul Hamid Dbeibeh për shkak të fatkeqësisë së përmbytjeve, dje shpalli 3 ditë zie në të gjithë vendin. Këshilli Presidencial i Libisë u bëri thirrje për ndihmë vendeve vëllazërore dhe institucioneve ndërkombëtare për rajonet që janë dëmtuar nga përmbytjet.
Sasia e reshjeve në rajonet lindore të vendit u theksua se ka qenë sasia më e lartë e regjistruar në më shumë se 40 vjet.