Presidenti amerikan Joe Biden tha sot se inflacioni në Shtetet e Bashkuara po bie dhe se gjërat po ecin në drejtimin e duhur, megjithëse ka ende punë për të bërë.
“Dua të them sinqerisht – do të duhet kohë që inflacioni të kthehet në nivele normale. Ndërsa shkojmë drejt stabilizimit të rritjes, ne mund të përballemi me pengesa gjatë rrugës. Ne nuk duhet të marrim asgjë si të mirëqenë”, tha Biden.
Ai shtoi se qëllimi i tij është të vërë nën kontroll rritjen e çmimeve pa rrezikuar rritjen ekonomike dhe të ulë inflacionin duke ruajtur elasticitetin e tregut të punës.
Departamenti Amerikan i Punës njoftoi sot se inflacioni në SHBA u rrit në muajin nëntor me 0.1 për qind në baza mujore dhe në bazë vjetore me 7.1 për qind, duke u ngadalësuar në krahasim me nivelin e tetorit.
Inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, është rritur me 0.2 për qind krahasuar me tetorin dhe krahasuar me nëntorin 2021 është rritur me 6 për qind. Norma bazë vjetore e inflacionit ishte 6.3 për qind në muajin tetor.