Presidenti Joe Biden e quajti të shtunën sulmin izraelit që vrau Hassan Nasrallahun, udhëheqësin e Hezbollahut një “masë drejtësie” ndaj sundimit të tij prej katër dekadash përmes terrorit.
Komentet e tij vijnë pasi grupi militant konfirmoi më herë të shtunën se Nasrallah, një nga themeluesit e grupit, u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut një ditë më parë.
Zoti Biden vuri në dukje se operacioni për të eliminuar Nasrallahun u ndërmor në kontekstin më të gjerë të konfliktit që filloi me masakrën e Hamasit ndaj izraelitëve më 7 tetor 2023.
“Nasrallah, të nesërmen, mori vendimin fatal për të bashkuar forcat me Hamasin dhe për të hapur atë që ai e quajti një ‘front verior’ kundër Izraelit”, tha Presidenti Biden me anë të një deklarate.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Hezbollahu nën drejtimin e Nasrallahut ka qenë përgjegjës për vdekjen e mijëra amerikanëve.
Megjithatë Presidenti Biden shtoi se synimi i Shteteve të Bashkuara është ulja e tensioneve në Lindjen e Mesme, përmes mjeteve diplomatike.
Mes përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, Departamenti i Shtetit udhëzoi të shtunën disa kategori punonjësish në ambasadën amerikane në Bejrut dhe anëtarë të familjeve të tyre, të largohen nga Libani.
“Personeli i Ambasadës së SHBA-së në Bejrut duhet të shmangë udhëtimet personale pa autorizim paraprak”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
Në udhëzim thuhet se mund të vendosen kufizime shtesë për personelin amerikan, nëse përkeqësohet më tej situata e sigurisë dhe shtohen kërcënimet.
Burimi: botasot.info