Presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje liderëve në Iran që të ndalin dhunën kundër qytetarëve të tyre. Gratë “duhet të jenë në gjendje të veshin në emër të Zotit atë që duan të veshin”, tha ai gjatë një fjalimi në Kolegjin e Komunitetit Irvine Valley në Kaliforni, më 14 tetor.
Biden tha se ishte “i shtangur” nga protestat masive në Iran, të cilat shpërthyen muajin e kaluar, pas vdekjes së një gruaje të re në paraburgim, e cila ishte ndaluar nga policia e moralit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.
“Dua të dini se ne qëndrojmë me qytetarët, gratë e guximshme të Iranit”, tha Biden.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përshëndeti guximin e protestuesve anti-qeveritar në Iran, teksa u takua më 14 tetor në Uashington me aktivistë me origjinë iraniane.
Irani ndodhet në mes të një revolte popullore, që është nxitur nga vdekja në paraburgim e një vajze 22 vjeçe.
Mahsa Amini ka rënë në komë disa orë pasi është arrestuar nga policia e moralit më 13 shtator, në Teheran, nën akuzat se ka shkelur rregullat e hixhabit, apo të shamisë së kokës.
Ajo ka vdekur në spital tri ditë më vonë. Familjarë të saj dhe iranianë të tjerë thonë se Amini ka humbur jetën si pasojë e rrahjes nga policia. Policia mohon se e ka keqtrajtuar dhe thotë se ajo ka pësuar sulm në zemër.
Protestat në Iran janë duke vazhduar, përkundër shtypjeve vdekjeprurëse nga policia.
Me Kodin islamik në Iran, gratë duhet të veshin hixhab dhe rroba të gjera që ua fshehin figurën. Gratë iraniane nuk mund të udhëtojnë pa shoqërues meshkuj e as të bëjnë cilëndo punë./REL