Boksieri rus Artur Beterbiev bëhet kampion i padiskutueshëm i botës në peshën “light heavyweight” (pesha deri 93kg), pas fitores me “ko teknik” në raundin e dytë ndaj amerikanit Joe Smith Jr. Sfida mes dy boksierëve, të dy kampionë bote në këtë Divizion, u zhvillua në Nju Jork.
Një duel që zgjati më pak nga sa pritej, me Beterbiev që i mbylli llogaritë shumë shpejt, brenda dy randesh dhe qëndron i pamposhtur në karrierën e tij (18 fitore e asnjë humbje). Ndërsa për Smith kjo është humbja e katërt në karrierë, ku numëron edhe 28 fitore.
Beterbiev e dominoi sfidën që në momentet e para, duke mos i dhënë asnjë shans rivalit të tij të fitojë. Ai e hodhi tri herë në tapet Smith para se gjyqtari të ndalë sfidën në fundin e raundit të dytë. Pas kësaj sfide, rusi me nënshtetësi kanadeze mban të gjithë titujt e kësaj peshe.
Beterbiev mbron kështu titujt e kategorive WBC e IBF, ndërkohë që fitoi edhe atë të kategorisë WBO që mbahej nga amerikani. “Isha në një formë të shkëlqyer dhe e meritova këtë triumf. Rivali im ishte disi i hapur në mbrojtje dhe përfitova, duke e goditur disa herë”, tha 37-vjecari rus.