Ishte 9 prilli i vitit 1999 kur u thye për herë të parë kufiri shqiptaro-shqiptar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të prirë nga Sali Çekaj e Agim Ramadani. Beteja e Koshares e cila u zhvilluar nga 9 prilli i vitit 1999, shënon momentin më të rëndësishëm në historinë e dy vendeve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, pasi për herë të parë u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.
Thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, nga shumë strategë, komandantë dhe ish ushtarë shihet si një nga pikat dhe vendimet më të rëndësishme dhe më strategjike për rrjedhën e luftës, pasi kjo ndikoi direkt në furnizimin më armatim nga shteti i Shqipërisë.
E kur po shënohet 26 vjetori i kësaj beteje, 9 prilli i vitit 2025 mblodhi në Koshare ushtarë, familjarë të të rënëve, politikanë e qytetarë për ta përkujtuar njërën nga betejat më të lavdishme të luftës për çlirimin e Kosovës.
Edhe pse Beteja e Koshares ishte njëra ndër betejat më të rëndësishme dhe më të suksesshme të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë, ajo nuk po e merr meritën dhe vendin që i takon sipas ish luftëtarëve dhe njohëseve të zhvillimeve të asaj kohe. Krejt kjo sipas tyre ka ndodhur pasi shumë ushtarakë dhe udhëheqës të Betejës së Koshares u lanë jashtë strukturave udhëheqëse në Kosovën e pasluftës.
Beteja më e rëndësishme në luftën e Kosovës
Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit të kombit, Sali Çekaj, për gazetën “Bota sot” thotë se asnjëherë nuk iu dha e vazhdon të mos i jepet vendi i duhur dhe meritor që i takon Betejës së Koshares.
“Mendoj se nuk ju dha dhe vazhdon të mos i jepet vendi i duhur dhe meritor që i takon Betejës së Kosharës nga institucionet e Kosovës. Gjithashtu edhe heronjve që drejtuan dhe ranë në fushën e nderit nuk u vlerësuan dhe nuk bënë sa duhet për ta. Shumë ushtarë mbeten pa mbështetje institucionale dhe u lan në mëshirën e fatit. Kjo duhet të korrigjohet dhe të vendoset në vendin që i takon. Lavdi ideatorëve dhe drejtueseve, heronjve Salih Çekaj dhe Agim Ramadanit, si dhe të gjithë të rënëve në fushën e nderit”, shprehet Tahiraj.

“Beteja e Koshares është beteja më e rëndësishme e luftës së fundit në Kosovë. Ajo kujtohet si beteja më e vështirë ku raporti i forcave ishte në disporpocion të madh në mes ushtrisë pushtuese serbe dhe GO3-shit të MMRK. Logjistika e UÇK-së me probleme serioze dhe disa probleme tjera i shtuan këto vështirësi”, thotë Tahiraj.
Sipas tij, Beteja e Koshares do të kujtohet si beteja më e suksesshme në luftën e Kosovës.
“Pavarsisht këtyre problemeve morali i lartë i ushtarëve, ideali i lart për liri ishin arma më e fuqishme që solli suksesin e madh duke i shkaktuar humbje të mëdha ushtrisë kriminale pushtuese serbe. Beteja e Koshares do të kujtohet si beteja më e suksesshme e cila na bënë të ndihemi krenar. Vlera historike e Betejës së Koshares qëndron në faktin se u hoq dhe u pastrua përgjithmonë kufiri famëkeq që i ndante shqiptarët padrejtësisht. Shumë gjenerata paraprake luftuan dhe nuk pushuan përpjekjet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por u shtypen mizorisht të gjitha ato përpjekje”, nënvizon Tahiraj.
Ai thotë se Beteja e Koshares realizoi me suksese këto përpjekje dhe solli në vend vullnetin e shumë gjeneratave, realizoi ëndrrën shekullore të të gjithë shqiptarëve.
“Beteja e Koshares mbeti në histori dhe tregoi se jo çdo herë në fushëbetejë vendos për fitore ushtria më e madhe, më mirë e armatosur, më e pajisur teknikisht. Ajo tregoi se arma më e fuqishme që mundë edhe ushtrinë më të fuqishme është ideali i lart për liri. Përgatitja e lart profesionale e ushtarëve nga oficer profesionist të MMRK të drejtuar nga kolonel Ahmet Krasniqi, ishte edhe segment shumë i rëndësishëm që e bëri kaq të suksesshme këtë betejë”, përfundon për “Bota sot” Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj.
Sabotimi nga komandantët e pasluftës
Kurse Osman Ferizi, ish pjesëtari i grupit të armatosur të dhjetorit 1991, të prirë nga heroi Sali Çekaj, thotë se Beteja e Koshares e vitit 1999 është një nga momentet më të rëndësishme të Luftës së Kosovës dhe ka një peshë të veçantë strategjike dhe historike.
“Ajo shënoi një pikë kthese, pasi për herë të parë u thye kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke i hapur rrugën furnizimit të UÇK-së me armë dhe logjistikë të nevojshme për rezistencën kundër ushtrisë serbe. Ky sukses ishte rezultat i një strategjie të mirëorganizuar nga komandantët me përvojë ushtarake, të cilët kishin shërbyer në Armaten Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe më pas ishin rreshtuar në radhët e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e Ministrit të Mbrojtjës kolonel Ahmet Krasniqit”, thekson Ferizi.

“Ky operacion ushtarak demonstroi aftësinë e UÇK-së për të përballuar një ushtri shumë më të madhe dhe të pajisur më mirë, duke treguar vendosmërinë e popullit shqiptar për liri. Beteja jo vetëm që pati ndikim taktik, por edhe një efekt psikologjik mbi forcat serbe, të cilat pësuan humbje të mëdha, vetë ata shprehen si lufta e Vietnamit. Ajo gjithashtu e forcoi besimin e bashkësisë ndërkombëtare se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e çrregullt guerile, por një forcë me komandë dhe strukturë të qartë ushtarake”, shpjegon Ferizi.
Ai thotë se komandantët e pasluftës lanë në hije meritat e Betejës së Koshares, krejt kjo për arsye politike.
“Për fat të keq, pas luftës, meritat e komandantëve dhe ushtarëve të Koshares shpesh janë lënë në hije për arsye politike e gjelozie, ia arritën monopolizimin e luftës nga segmente të caktuara të UÇK-së konkretisht ish pjesëtarët e vetë emëruar të Shtabit të Përgjithshëm në krye më Hashim Thaçin, Azem Sylen e Xhavit Halitin, duke anashkaluar rolin e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe figurave si komandantëve, strategëve Rrustem Berisha, Sali Çekaj, Anton Quni, Agim Ramadani, Skender Hasangjekaj, Hysen Berisha e të tjerë. Kjo ka bërë që në përvjetorët e kësaj beteje, nderimet shtetërore të jenë shpesh formale dhe jo në përmasën e duhur”, shpjegon Osman Ferizi.
Ai shton se shumica e atyre që e udhëhoqën Betejën e Koshares nuk u përfshinë në hierarkinë ushtarake që u formua pas luftës në Kosovë.
“Gjithashtu, shumë prej atyre që udhëhoqën këtë betejë nuk u përfshinë në hierarkinë ushtarake të pasluftës, ndërsa disa të tjerë, si Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, dhanë jetën në front dhe nuk patën mundësinë të marrin vlerësimin që meritojnë. Në ndërkohë, janë shpallur gjeneralë figura që nuk kanë pasur përballje të drejtpërdrejta me armikun, pa asnjë fitore në teren, çka e bën të kuptueshme frustrimin e veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve të Koshares”.
“Në distancë kohore, mbetet përgjegjësi e shoqërisë dhe institucioneve që të vendosin një narrativë të drejtë dhe të paanshme për Luftën e Kosovës, duke dhënë meritën e duhur për të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e vendit. Beteja e Koshares nuk është thjesht një betejë ushtarake, por një simbol i guximit dhe sakrificës për liri, i cili duhet të zërë vendin e merituar në historinë e Dardanisë, kjo betejë ua kujtoi Serbëve e Malazezëve betejën e Lumës dhe Taraboshit ku u thyen keq këto forca pushtuese”, përfundon Osman Ferizi, ish pjesëtari i grupit të armatosur të dhjetorit 1991, të prirë nga heroi Sali Çekaj.
Burimi: botasot.info