Ekspertët, sot ishin pjesë e takimeve të organizuara nga Ministria e Financave në kuadër të debatit publik për reformën tatimore. Konceptin e reformës tatimore, për të cilën është punuar në periudhën e kaluar dhe që duhet të zbatohet gradualisht në periudhën 2023-2025, Ministri i Financave, Fatmir Besimi, e prezantoi para ekspertëve, dekanëve, rektorëve dhe profesorëve të universiteteve në vend. Ai theksoi se, transparenca dhe gjithëpërfshirja janë pjesë kyçe në këtë proces, i cili duhet të krijojë një sistem tatimor të drejtë, të barabartë, efikas dhe modern dhe me këtë të mundësohet zhvillimi ekonomik.
“Në këtë proces të debatit, konceptin e reformës tatimore e kemi prezantuar deri më tani edhe para komunitetit të biznesit, sektorit joqeveritar, shoqatave afariste, kompanive konsulente dhe të tjerëve, të cilët kanë dhënë sugjerime konstruktive dhe kontribut pozitiv në këtë proces. Këtë e vazhdojmë sot me ju, ekspertë, ku përfshirja juaj është shumë domethënëse, duke marrë parasysh njohuritë dhe përvojat tuaja. Të gjitha argumentet janë të mirëseardhura, ndërsa qëllimi përfundimtar është që të përcaktojmë zgjidhjet së bashku, sepse ato u referohen të gjithëve në shoqëri”, theksoi ministri në këtë takim.
Ai theksoi se ky proces është pjesë e konceptit të financave të mençara, me të cilin paraprakisht u përcaktuan rregullat, sa i përket pjesës së shpenzimeve. Me Ligjin për Buxhetet, përcakohen rregullat dhe vendoset mekanizmi për kontrollin e shpenzimeve të mjeteve financiare, që do të arkëtohen në buxhet. “Ky është sistem i ndërlidhur, përmirësohet efikasiteti i të dyja palëve, ai i të hyrave dhe ai i shpenzimeve, sepse qytetarët kërkojnë llogaridhënie sa i përket shpenzimit të mjeteve financiare që arkëtohen në buxhet përmes politikës së përcaktuar tatimore” theksoi ministri.
Paralelisht me këto procese, ndërmerren aktivitete edhe për rritjen e kapaciteteve të institucioneve për arkëtimin më efikas të të hyrave, si dhe uljen e ekonomisë gri. Me këtë do të përforcohet drejtësia dhe paanshmëria, sepse në këto aspekte nuk duhet të vërehet fakti se ai që ka më shumë duhet edhe të paguajë më shumë, por drejtësia vërehet edhe për faktin se ata që tani nuk janë pjesë e sistemit do të bëhen pjesë e tij dhe në këtë mënyrë do të bartin pjesën e tyre reale të barrës tatimore.
Rol të rëndësishëm në këtë do të luaj dhe dixhitalizimi i mëtejshëm i proceseve në administratën tatimore dhe doganore, për të cilat tashmë është përcaktuar dinamika e realizimit në mënyrë që të zhvillohen së bashku me reformën tatimore. Në këtë drejtim, në Drejtorinë e të Ardhurave Publike po përgatitet terreni për vendosjen e e-fiskalizimit dhe e-faturës, ndërsa po ndërmerren aktivitete edhe në Drejtorinë Doganore.
Në këtë takim, si dhe në takimet e tjera, u prezentuan shumë mendime në lidhje me konceptin e reformës tatimore, të cilat do të merren parasysh para krijimit të zgjidhjeve përfundimtare. Po ashtu, në këtë proces, palët e interesuara, mendimet dhe sugjerimet e tyre mund t’i dorëzojnë edhe në formë elektronike përmes faqes së internetit të Ministrisë së Financave dhe nëpërmjet e-mailit në adresën [email protected] Debati publik do të vazhdojë me takime edhe në periudhën e ardhshme me faktorët e tjerë të shoqërisë