“BESA” dhe “ZNAM” konfirmuan kandidatët për ministra / DPMNE nesër finalizon propozimet, fundjavën tjetër votohet Qeveria e re

min lexim

Disa nga partitë e shumicës së re kanë filluar të shpallin zyrtarisht propozimet e tyre për ministra. Nga Lëvizja “ZNAM” për ministër të Drejtësisë propozojnë Igor Filkovin, i cili ndryshe me profesion është biznesmen dhe jurist, ndërsa për ministër të ri të Administratës ka propozuar ish-deputetin nga radhët e LSDM-së, Goran Minçev. Zëdhënësi Nikolla Memov tha se negociatat për eshalonët e tjera ende po vazhdojnë.

“Po diskutohet për zëvendësministra, sekretarë shteti dhe janë të hapura edhe çështjet për eshalonin e katërt dhe të pestë. Për momentin po diskutohen edhe dy poste zëvendësish, por resorët ende nuk janë përcaktuar”, u shpreh Nikolla Memov, zëdhënës i Lëvizjes “ZNAM”.

Më herët edhe BESA ka bërë të ditur emrat e propozuar për ministra. Pas mbledhjes së organeve të partisë së Bilall Kasamit, konfirmuan se për ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë propozojnë Fatmir Limanin, për Ministër të Ekonomisë dhe Punës Besart Durmishin, ndërsa për zëvendësministër të Kulturës dhe Turizmi Sedat Suleimanin. Besa shton se prioritetet e tyre në qeverinë e re do të jenë lufta kundër krimit, por edhe integrimi në BE.

Koalicioni “VLEN” do t’i përkasë edhe Ministria e Shëndetësisë, që do të drejtohet nga Arben Taravari. Izet Mexhiti do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i ekologjisë. Kuadro të VLEN do të drejtojnë edhe Ministrinë e Çështjeve Evropiane. Burime brenda partisë Alternativa bëjnë të ditur për TV21 se propozimi i tyre për këtë dikaster do të jetë Orhan Murtezani. Më herët për ministër këtu është përfolur Admirim Aliti. Sa i përket postit të zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë, pritet që këtu të vendoset Bujare Abazi.
Në partinë fituese të zgjedhjeve vazhdojnë konsultimet për kandidatët për ministra. Është bërë se organet e VMRO-DPMNE-së emrat do t’i zyrtarizojnë të dielën. Sipas informacioneve, shef i ri i diplomacisë do të jetë Timço Mucunski, Ministre e Arsimit do të jetë Vesna Janevska, Ministër i Digjitalizimit do të jetë Stefan Andonovski, e Energjetikës Sanja Bozinovska. Për personin e parë në bujqësi përmendet Cvetan Tripunovski, ndërsa për sport Borko Ristovski. Jozyrtarisht, Pançe Toshkovski përmendet për Sekretar të Përgjithshëm të Qeverisë, por ai ende është në garë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të cilën përmendet edhe emri i Igor Janushev. Për ministër për Transport dhe Lidhje përmendet emri i Aleksandar Nikollovskit.

Mandati Hristijan Mickoski paraprakisht tha se të martën, më 18 qershor, në Kuvend do ta paraqesë programin dhe përbërjen e propozuar të Qeverisë së re. Votimi në Kuvend për zgjedhjen e Qeverisë së re pritet të mbahet fundjavën e ardhshme.

Burimi: tv21

Story i mëparshëm

Disa këshilla se si të kaloni pushime çlodhëse

Story i radhës

Merr flakë kasollja me jonxhë dhe bagëti në Maliq, zjarrfikëset në vendngjarje

Të fundit nga