Banorët e fshatit Bërxull kanë dalë edhe sot në protestë, kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe firmës “Gener 2”, e cila kreu punimet për një periudhë pa leje ndërtimi.
Banorët që protestojnë prej më shumë se dy muajsh, kërkojnë që prona e tyre të kompensohet sipas çmimit të tregut, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore.
Ata thonë se nuk do të ketë më protesta paqësore, do të protestojnë para godinave të institucioneve, përfshfirë edhe ambasadën amerikane.
“Ata kanë vijuar të legalizojnë edhe lejet, por kjo nuk do të thotë që do të rrimë të heshtur”, tha një prej protestuesve.
“Nuk e ka marrë lejen e ndërtimit, do ta ndjekim edhe në rrugë ndërkombëtare, deri në gjykatën më të lartë”, thotë një prej banoreve.
“Edhe pse po shkojmë në ditën e 80 të protestës asnjë nuk ka dhënë as edhe një përgjigje, qoftë edhe negative. Sot po godasim atë që shteti i ka dhënë një leje zhvillimore, se nuk është në përputhje me kontratën që ka, nuk ka lejen e zhvillimit, të pronësimit, se në kontratë përcaktohet shumë saktë, përderisa thotë se është kontraktor dhe sipas ligjit duhet t’ja kishte përgatitur terrenin një vit më parë, jo sot, sot kujtohen për të dhënë një leje zhvillimore”, tha kryeplaku i fshatit.
“Tani ka ngel për t’u drejtu tek ambasada amerikane, shteti na ka shit gjithandej, po përgatitet të shkojmë në për vende të tjera”, tha një prej protestueseve.
“Ne do të vijojmë tek të gjitha këto institucione që të merret vesh në të gjithë botën, do të shkojmë deri në vetëflijim”, tha banori.