Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se nga Mitrovica e Veriut, ku po qëndron për vizitë, dëshiron të përçojë mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës.
Ajo tha se autoritetet nga Serbia, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiç, do të jenë gjithmonë me komunitetin serb në Kosovë dhe shtoi se është e lumtur që ndodhet në Kosovë “në një moment kaq të vështirë”.
“Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, tha Bërnabiç.
Kryeministrja e Serbisë shtoi se vendi i saj do të vazhdojë të luftojë për popullin serb, në mënyrë që përmirësimi i kushteve të jetesës të shihet në terren.
Ajo theksoi se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë – nga Mitrovica në Bruksel e Pekin.
“Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, tha Bërnabiç.
Bërnabiç arriti paraditen e së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe – subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës – si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.
Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb. Ata mbanin në duar pankarta me fjalë përkrahëse, të tilla si: “Derisa e kemi [presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”.
Kjo është vizita e parë e Bërnabiqit në Kosovë prej se është zgjedhur kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.
Gjatë qëndrimit njëditor, ajo do të vizitojë komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq – ku popullata shumicë është serbe. /REL