Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi ka deklaruar se nëse ai do të bashkëpunonte me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, mund të bindin Presidentin rus Vladimir Putin që t’i japë fund luftës në Ukrainë.
“Nëse ka një person që mund të punojë në vendin tim ose të jetë në krahun tim, është zonja Merkel, me të do të më pëlqente ta bindja Putinin”, u shpreh Berlusconi.
Ish-Kryeministri italian tha se ai ka të njëjtat qëndrime si të Perëndimit për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, por theksoi se deri tani nuk shikon asnjë humbje për Vladimir Putinin.
“Unë nuk mund të devijoj nga qëndrimet e qeverisë, BE-së, SHBA-së dhe gjithë Perëndimit. Putin është i aftë të rezistojë dhe nuk shoh asnjë humbje për të”.
Berlusconi vuri në dukje gjithashtu se “ushtria e pathyeshme ruse nuk është dhe aq e pathyeshme”, duke shtuar se lufta në Ukrainë është e “pakëndshme”.