Çfarë ishte projekti FCAS
Me projektin FCAS, shkurtimin për Sistemin Ajror Luftarak të së Ardhmes, kuptohet në radhë të parë një avion luftarak shumë modern evropian, që synonte të shmangte varësinë nga teknologjia dhe komponentët amerikanë. Kjo, në fakt, ishte ideja e guximshme, kur u konceptua ky sistem.
Për të u punua 10 vjet. Deri të hënën, më 8 qershor , kur Berlini i njoftoi Parisit fundin e zhvillimit të përbashkët. Kjo pas një serie të gjatë mosdakordimesh.
Avionin do ta ndërtonin korporatat Airbus për Gjermaninë dhe Dassault për Francën. Projektin e nisën, politikisht, në korrik 2017, kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron . Njëkohësisht me programin e tankeve të së ardhmes, MGCS.
Avioni dhe sistemi rreth tij synonte t’i bënte Gjermaninë dhe Francën më të pavarura nga armët amerikane. Me fundin e projektit, tani preket edhe Spanja, që ishte partnere e tretë.
Arsyet kryesore të ndërprerjes së FCAS
Gjermania dhe Franca përmendin të njëjtin shkak, por e interpretojnë ndryshe.
Berlini sheh si pengesë kryesore rolin që kërkonte Dassault në projekt. Dassault është firma që ka ndërtuar avionin luftarak francez Rafale. Sipas medieve, kompania druhej edhe se, po ta ndante ekspertizën që kishte mbledhur për ndërtimin e avionëve me të tjerë, përparësia franceze do të humbiste shpejt.
Gjermania, në fund, nuk vijoi më me presionin për lëshime ndaj sipërmarrjeve gjermane.
Parisi e pranon pengesën nga Dassault, por thelbin e problemit e sheh te konkurrenca mes industrive. Kësaj i shtohet që të dyja shtetet e ngarkuan projektin me gjithë peshën e miqësisë. Dhe pritshmëritë politike, të konsideruara nga disa si „tepër romantike”, nuk arritën të përputheshin me realitetin industrial evropian.
Arsye të tjera përtej konfliktit industrial
Franca donte një avion që ta ngarkonte edhe me armë bërthamore, Gjermania nuk e kishte këtë nevojë; futja e madhe e dronëve në luftë shtroi nganjëherë edhe pyetjen nëse nevojitet më një avion i tillë që do të dilte në treg në vitin 2040.
Edhe vetë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e pranoi: sot një projekt i tillë nuk do të konceptohej si para 10 vitesh. Ai tha se nisma të mëdha si kjo kërkojnë më parë një bazë të qartë industriale — një konsorcium si Airbus — dhe jo vetëm vullnet politik.
Shqetësimet franceze për epërsinë ushtarake gjermane
Franca shpreh shqetësimin se mund të humbasë epërsinë ushtarake ndaj Gjermanisë. Boshti i vjetër gjermano-francez mbështetej në një ndarje të qartë rolesh: Franca mbante peshën ushtarake, Gjermania jepte fuqinë ekonomike. Riarmatosja gjermane tani e ndryshon këtë ekuilibër.
Shefi i shtabit të përgjithshëm francez, gjenerali Fabien Mandon, paralajmëroi se, brenda pesë vjetësh, Franca rrezikon të mbetet prapa Gjermanisë. Në vitin 2022, kur nisi lufta në Ukrainë, të dyja vendet shpenzonin thuajse njësoj për mbrojtjen; por deri më 2029, buxheti ushtarak i Berlinit do të rritet dhe, sipas planit zyrtar, do të bëhet dyfishi i atij të Francës: mbi 150 miliardë euro (152.8 sipas planeve të Berlinit) në Gjermani, përballë rreth 73 miliardë eurove në Francë (72.8 miliardë euro, buxheti i aktualizuar për 2026 sipas burimeve zyrtare franceze). Një ushtarak francez i lartë e quajti në medie këtë zhvillim „të paimagjinueshëm”.
Megjithatë, nuk është fjala për kërcënim — në Paris askush nuk e quan Gjermaninë rrezik. Bëhet fjalë për status dhe për shqetësimin se Gjermania po rend e vetme përpara: Berlini po investon shumë, edhe në hapësirë.
Ndërsa Parisi, që nuk i ka sot fondet e Gjermanisë, druhet se, në plan afatmesëm, do të mbetet prapa.
Buxheti i madh ushtarak i jep industrisë gjermane vetëbesim dhe peshë të jashtëzakonshme.
Veç kësaj, jo të gjithë në Evropë i mbështesin frikërat franceze. Në Poloni, për shembull, sipas një sondazhi, shumë e shohin pozitivisht një ushtri gjermane më të fortë — janë më të shumtë ata që e quajnë përfitim, sesa ata që flasin për rrezik.
Hapat e ardhshëm të Gjermanisë
Gjermania do të vazhdojë të përdorë avionin Eurofighter. Dhe synon të shpëtojë atë që ka mbetur nga projekti i avionit. Po kërkon partnerë të rinj për ta ndërtuar avionin; deri në korrik do të paraqitet një plan.
Gjermania ose do të hyjë në programin GCAP — që ndërton avionin konkurrent të së ardhmes të britanikëve, italianëve dhe japonezëve. Ose do të nisë një bashkëpunim me prodhuesin suedez Saab.
Gjermania synon të ketë një rol qendror në ndërtimin e këtij avioni modern, tepër të shtrenjtë dhe të ndërlikuar.
Partneriteti gjermano-francez në vazhdim
Njëkohësisht, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi se nuk duhet vënë në pikëpyetje i gjithë partneriteti gjermano-francez për shkak të një projekti. Ka drejtime të tjera ku boshti Berlin-Paris mund të kontribuojë për Evropën.
Kujtojmë, për shembull, samitin e fundit të BE-së, kur ishin Berlini dhe Parisi që u ofruan shteteve të Ballkanit një afrim gradual me Bashkimin Evropian.
Shkurt, histori nga e kaluara është avioni i përbashkët, jo partneriteti gjermano-francez. Në të ardhmen, ai ndoshta do të jetë një partneritet më i matur — kjo mund ta bëjë edhe më të qëndrueshëm. / DW
Burimi: botasot.info


