Sali Berisha ka falenderuar kandidatët që morën pjesë në primaret që Partia Demokratike mbajti së fundmi. Lideri demokrat tha se këto primare dëshmuan “përpjekjen më serioze që një forcë politike ka bërë ndonjëherë për të respektuar lirinë, dinjitetin, votën e anëtarëve të vet.”
Shfrytëzoj këtë moment për tu përcjellë urimet më të përzemërta për të gjithë kandidatët që morën pjesë në primare dhe në tërësi u mbyllën dje. Në veçanti atyre që fituan në këtë garë, e parë në historinë e vendit. E një rëndësie jetike në një vend ku nuk votohet. Le të shprehim ne besimin për ta shndërruar ne këtë në një frymëzim për shoqërinë shqiptare dhe Shqipërinë në tërësi.
Përfundimi i primareve dëshmon përpjekjet tonë më serioze dhe përpjekjen më serioze që një forcë politike ka bërë ndonjëherë për të respektuar liritë, dinjitetin, votën e anëtarëve të vet. Përbën vendosjen e një praktike që ka në themel votën e lirë, të cilën e përdorin partitë me moderne, më demokratike në Europë dhe botë.
Kjo praktikë përmbys praktikat e mëparshme të përzgjedhjes, përfaqësimit të qeveritarëve qendror dhe vendor të forcave politike. Vendos në qendër pushtetin e anëtarëve, zhdërvjelltëson, apo formën e vjetër e përfaqësimit e zëvendëson me një formë të re më të drejtë dhe më të ndershme. Ndaj dua të falënderoj edhe njëherë të gjithë ata që morën pjesë në garë, degët, drejtuesit e grupeve, kryesitë, komisionet, komisionin e menaxhimit të zgjedhjeve në qendër për punën, do të thosha në tërësi të shkëlqyer që ka zhvilluar.”, tha Berisha.