Ish-kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur ditën e sotme në orën 10:00 në SPAK. Ai duhej të ishte atje sipas një vendimi të marrë nga GJKKO sipas të cilit duhet të paraqitet dy herë në muaj para Policisë Gjyqësore.
Ish-kreu i qeverisë në orën 10:00 ishte para Kryesisë së Kuvendit, ku tha se do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike. Për gazetarët ai u shpreh se nuk ka refuzuar kurrë t’i përgjigjet drejtësisë, por kërkesa e SPAK duhet të shkojë në Kuvend. Për këtë arsye, për aq kohë sa Kushtetuta është në fuqi, ai tha se nuk do ta shkelë atë.
“Nuk kam refuzuar kurrë t’i përgjigjem drejtësisë, por kërkesa e SPAK duhet të shkojë në Kuvend”, u shpreh Berisha për gazetarët.
Më tej shtoi se, “Jam i gatshëm të votoj përsëri ligjin që kam propozuar në 2012, por përderisa Kushtetuta është në fuqi nuk ka bandit në Shqipëri as në botë që mund të më imponojë mua që të shkel Kushtetutën”.
Gazetarja Glidona Daci raportoi se nëse ai nuk dërgon një shkak të arsyeshëm për mos paraqitjen ditën e sotme, dy prokurorët e çështjes kanë në dorë që t’i dërgojnë një shkresë ku e njoftojnë se në rast se nuk paraqitet të hënën e tretë të muajit do të ketë ashpërsim të masës së sigurisë.
“Duke qenë se Berisha është në një moshë të thyer, nuk lejohet që t’i caktohet një masë shtrënguese arrest me burg, por e vetmja masë sigurimi që mund të aplikohet në këtë rast është arrest në shtëpi”, tha Daci.
Të gjitha këto mund të ndodhin në rast se nga ana e Berishës nuk pranohet të zbatohet vendimi i Gjykatës së Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të dhënë nga gjyqtarja Irena Gjoka vetëm disa ditë më parë.
Ajo i caktoi Berishës detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore dhe gjithashtu urdhëroi që të mos largohet jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjatë ditës së sotme u paraqit edhe biznesmeni Fatmir Bektashi për të firmosur para agjentëve të BKH-së sepse edhe atij i është caktuar detyrim paraqitjeje.
Ndërkohë avokati i Berishës ka ankimuar vendimin për detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shteti.
Kujtojmë se ish-kryeministri refuzoi të marrë pjesë në gjyq, me pretendimin se nuk mund të shkelë Kushtetutën. Berisha përmend nenin 73 pika 2 ku theksohet se deputetit nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria, pa autorizimin e parlamentit.
Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Malltezi u la në masën e sigurisë arrest në burg, i cili gjithashtu ankimoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme.